Totre: Me Milanin japim gjithçka për prezantim dinjitoz

Me tre pikë e para të fillim sezonit, ku u mund Vardari në Tetovë me rezultat 2:0, Shkëndija tani më ka kthyer vëmendjen kah sfida historike me Milanin në “San Siro”. Paraqitja bindëse përballë rivalit nga Shkupi ka përmirësuar edhe ashtu atmosferën e shkëlqyeshme në skuadër që vjen si pasojë e një ecurie të bukur në Ligën e Evropës. “Kuqezinjtë” për të dytin vit me radhë gjendet në fazën e “Play Off”-it, shkalla e fundit para grupeve. Për të arritur aty, Shkëndija ka para vetes pengesë shumë serioze, pasi përballet me 7 herë fituesin e Ligës së Kampionëve, Milanin.

“Prej kur shorti caktoi që kundërshtari ynë të jetë Milani është folur shumë për këto dy ndeshje dhe kjo është krejt normale. Ne jemi të kënaqur që edhe një herë kemi mundur të dalim me paraqitje të suksesshme në Evropë, duke arritur në “Play off”. Tani për Milanin nuk duhet të harxhojmë fjalë. Të gjithë e njohin këtë skuadër dhe cilësinë e tyre, pa marrë parasysh se viteve të fundit nuk kanë qenë në nivelin e pritur. Për ne kjo është një sfidë e re, mundësi e madhe për tu përballur me një ekip të fortë, kundër të cilëve do të dalim për të dhënë më të mirën nga vetja. Fundi do të tregojë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të bërë befasinë e radhës”, shprehet mesfushori i talentuar, Ennur Totre, i cili ishte ndër më të mirët në teren të shtunën kundër Vardarit.

Pas ndeshjes me Vardarin skuadra të dielën kishte rikuperim, ndërsa trajneri Osmani sot i la futbollistët të lirë. Të martën ekipi ushtron para dite në Tetovë, ndërsa pas dite udhëton drejt Milanos. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button