Mbyllen studimet e disperzuara të UT-së në Shkup, studentët fajësojnë UNT-në

Universiteti i Tetovës (UT) i ka mbyllur studimet e disperzuara në Shkup, pasi që për këtë vit nuk ka hapur regjistrim për studentë të rinj. Studentët të cilët aktualisht ndjekin studimet në UT në Shkup, shfaqin shqetësim lidhur me vitin e ri akademik, pasi që ende nuk dihet fati i tyre se a do vazhdojnë të njëjtët në Shkup apo do të transferohen në Tetovë. Shqetësim kanë edhe maturantët të cilët këtë vit akademik kanë më pak zgjedhje lidhur me llojllojshmërinë e drejtimeve, shumica e tyre ankohen se Universiteti Nënë Tereza nuk ka ato drejtime që kishte UT, shkruan Poralb.mk.

Zëdhënësi i UT-së, Selam Sulejmani, nuk jep informata në lidhje me atë se a do të ketë regjistrime për UT-në në Shkup dhe nëse do të mbyllen studimet e disperzuara, cili do të jetë fati i studentëve të cilët aktualisht studiojnë. Ai shkurt për Portalb.mk tha se “të gjitha përgjigjet i keni te konkursi i publikuar në uebfaqe“.

Nga ajo që mund të shihet në ueb-faqe, konkurs të ri për regjistrime në Shkup nuk ka, por vetëm për studentët që do duan të studiojnë në Tetovë. Ndërkaq për studentët që aktualisht studiojnë në studimet e disperzuara në Shkup, asgjë nuk shkruan.

LEXO: Maturantët dhe studentët në ankth, nuk dihet fati i studimeve të disperzuara të UT në Shkup

Studentët aktual të stduimeve të disperzuara në Shkup, thonë për Poralb.mk se nuk është e drejtë që ata të transferohen në Tetovë në vitin e fundit të studimeve, madje ata fajësojnë Univeristetin “Nënë Tereza” dhe institucionet përkatëse, që hapin universitete të reja pa pasur objekt amë.

“Janë duke luajtur lojë me neve, njëherë nuk na sigurojnë kushte adekuate për zhvillimin e studimeve dhe tani spekulohet se do të transferohemi në vitin e fundit në Tetovë?! Askund nuk ndodh kjo, secili universitet duhet të ketë objekte amë, si themelojnë universitet dhe më pas mendojnë se ku do të dërgojnë studentët”, tha R.F., student.

“U pa vjet se sa ishte interesimi i nxënësve për tu regjistruar në UNT, nuk ka as kushte as asnjë gjë, as drejtime të cilat shumica prej nesh i dimë dhe preferojmë. Pse po na i mbyllin mundësitë. Askush nuk ka informacion se çfarë do të ndodhë, askush nuk tregon asnjë gjë, kurse tërë kohen spekulohet se do të na transferojnë në Tetovë. Si do ja bëjmë, si do e paguajmë rrugën .. askush nuk përgjigjet”, tha A.R., studente.

Nga ana tjetër nxënësit ankohen se i kanë mundësitë e kufizuara për të zgjedhur lëminë e studimeve, pasi që UT-ja do t’i ndalojë studimet e disperzuara, ndërkaq UNT-ja nuk do t’i ketë disa drejtime kryesore, gjë që i obligon nxënësit shqiptarë të studiojnë në universitetet maqedonase.

“Nuk e dimë çfarë të bëjmë, une me shoqërinë time jemi duke shqyrtuar mundësitë që na jepen për regjistrim në universitete por kësaj radhe është e tmerrshme. UT thuhet se nuk do të ketë studime më në Shkup, kurse UNT nuk ka drejtime si atë të juridikut, ekonomikut si dhe të gjuhëve. Kushtet jo secili i ka për universitetet private, si duket do të kthehemi mbrapa, në kohën kur nxënësit shqiptarë studionin në gjuhën maqedonase, por kjo është e mjerueshme, duke pasur parasysh se më kemi universitete shqiptare, të cilat fatkeqësisht po na i mbyllin dyert”, tha disa gjimnazistë të cilët preferonin të ngelnin anonim.

Ndryshe, duke e pasur parasysh se viteve paraprake drejtimet të cilat u mbyllën, studentët të cilët nuk mbaruan në kohë, kanë qenë të detyruar që shërbimet studimore t’i kryejnë në Tetovë, mbetet të pritet se fati i njejtë i studimeve të mbyllura do t’i pret edhe studentët tjerë./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button