Gostivar, Rregullohet linja kryesore e ujësjellësit në Forinë

Ka filluar në Forinë ndërtimi dhe rekonstruktimi i plotë i linjës së ujësjellësit përgjatë rrugës kryesore të këtij fshati . Projekti peshon 100 mijë euro dhe synon të përmirësojë furnizimin me ujë të pijshëm për thuajse gjysmën e amvisërive të fshatit Forinë.

Sistemi i ujësjellësit ka ekzistuar edhe më herët por për shkak të kualitetit të dobët të gypave të vendosura aty, thuajse asnjëherë nuk ka qenë funksional.

Sipas dinamikës, punët duhet të përfundojnë brenda dy javëve, që të pasojë rekonstruktimi dhe zgjerimin tanimë i filluar i rrugës rajonale Forinë-Çegran.  

Drejtori teknik në Ndërmarrjen Publike “Komunalec”, Vullnet Çerkezi bën me dije se kapaciteti i gypave që janë duke u vendosur në linjën kryesore të ujësjellësit në fshatin Forinë, do të plotësojnë kërkesat e banorëve të kësaj pjese të fshatit.

Nga kjo ndërmarrje paralajmërojnë sanim të linjave anësore të ujësjellësve edhe në pjesët tjera të këtij fshati.

Punët i realizon NP “Komunalec”, ndërsa mjetet janë siguruar nga buxheti Komunës së Gostivarit.

Paraprakisht, po ashtu me mjete të komunës, u realizua investimi kapital i cili arriti shifrën prej 100 mijë eurosh, respektivisht u ndërtua kolektori kryesor për kanalizimet fekale dhe atmosferike  në fshatin Forinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button