fbpx

Vazhdimësia e dialogut ndëretnik në Maqedoni dhe roli i faktorit ndërkombëtar

Më 17 dhe 18 dhjetor 1996, në Shkup u organizua një debat dyditor, me dyer të mbyllura, mes përfaqësuesve të lartë politikë nga pala maqedonase dhe pala shqiptare, në nivel të Qeverisë së Maqedonisë, me iniciativë të komesarit të lartë të OSBE-së për pakicat kombëtare, Maks Van der Stul (Max Van der Stoel), në të cilin morrën pjesë tre ministra të atëhershëm në Qeverinë e Maqedonisë dhe partneri i tyre i koalicionit qeveritar nga radhët e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, Partia për Prosperitet Demokratik, i cili takim nga mediat zyrtare në gjuhën maqedonase, në atë kohë u cilësua si marrëveshje e fshehtë shqiptare-maqedonase në dëm të popullit maqedonas dhe të Republikës së Maqedonisë.

Komesari i lartë i OSBE-së, Maks Van der Shtul, këtë takim e organizoi në bashkëpunim me Fondacionin holandez për bashkëpunim ndërnacional dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, me temë: ,,Ndërtimi i marrëdhënieve të harmonishme në Maqedoni – Roli dhe rëndësia e vetadministrimit lokal në shoqëritë shumetnike dhe arsimimi i pjesëtarëve të kombësive në institucionet arsimore publike në Maqedoni”.  

Organizatori i këtyre bisedimeve, komesari i lartë Maks Van der Shtul, pjesëmarrësit i zgjodhi në bazë të parimit të paritetit, nivelit dhe numrit të barabartë të pjesëmarrësve; në njërën anë morrën pjesë ministrat në Qeverinë e Maqedonisë, nga pala maqedonase: ministri i Punëve të Jashtme, Lubomir Fërçkovski, ministri i Drejtësisë, Vllado Popovski dhe ministresha e Arsimit dhe Kulturës Fizike, Sofija Todorova; kurse në anën tjetër, përfaqësuesit e palës shqiptare: kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Abdurrahman Haliti, përfaqësuesi i Komunës së Tetovës, Vullnet Palloshi dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, Ali Aliu. Mes dy bashkëbiseduesve kryesorë të këtij takimi, Lubomir Fërçkovski dhe Abdurrahman Haliti, ishte e pranishme edhe profesoresha Mirjana Najçevska nga Instituti i studimeve sociologjike dhe politike-juridike në Shkup.

Pjesëmarrjen e tyre në këto bisedime e refuzuan dy partitë tjera politike të shqiptarëve në Maqedoni, Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve në Maqedoni dhe Partia Demokratike Popullore, të cilat më vonë u shkrinë në një parti të vetme, Partia Demokratike Shqiptare. Partitë politike opozitare maqedonase, si partia VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike Maqedonase nuk u ftuan të marrin pjesë në këto bisedime, duke pasur parasysh orientimin dhe qasjen e tyre shoviniste ndaj të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Se çka konkretisht u bisedua në këtë takim, pa pjesëmarrjen e mediave dhe larg syve të opinionit, mbetet të hulumtohet dhe bëhet publike në të ardhmen, nga dëshmitë e vetë pjesëmarrësve, si dhe nga dokumentet zyrtare të OSBE-së dhe shënimet personale të ish komisarit të lartë, Maks Van der Shtul. Vetëm një gjë është e sigurt, që këto bisedime nga mediat zyrtare u cilësuan si përpjekje e faktorit ndërkombëtar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, që sipas tyre ,,e cënojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Maqedonisë”.

Në këtë fushatë kundër dialogut konstruktiv, në nivel të partnerëve në Qeverinë e atëhershme të Maqedonisë, mes palës shqiptare dhe palës maqedonase, me ndërmjetësim nga faktori ndërkombëtar, kryesisht u dalluan, e përditshmja në gjuhën maqedonase ,,Nova Makedonija” dhe Radiotelevizioni shtetëror i Maqedonisë (RTVM), sidomos programi në gjuhën maqedonase.

Dy dekada pas këtyre bisedimeve në nivel të lartë shtetëror, edhe pse nga vetë pjesëmarrësit u cilësuan si takim joformal dhe ,,privat”, sipas deklaratës së vetë inicuesit dhe organizatorit të tyre, komesarit të lartë Maks Van der Shtul, sa për ta heshtur propagandën e furishme të mediave, ky takim mund të cilësohet si nismë e dialogut ndëretnik në Maqedoni, me interes për të ardhmen e këtij shteti, i cili vazhdoi edhe më vonë, por në rrethana krejtësisht të tjera, me bisedimet për ndërprerjen e konfliktit të aramatosur në vitin 2001, nga të cilat, gati me të njëjtët pjesëmarrës dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, kësaj radhe në vend të OSBE-së dhe komesarit të lartë të saj, nga faktori ndërkombëtar u caktuan dy lehtësues të këtyre bisedimeve, diplomati amerikan Xhejms Perdju dhe përfaqësuesit të BE, Fransua Leotar, pas të cilave u arrit Marrëveshja kornizë e Ohrit, e cila u nënshkrua në Shkup, më 13 gusht 2001. Këtyre bisedimeve iu parapriu një plan i përgatitur nga diplomati amerikan, Robert Frovik, i njohur si ,,Plani Frovik”, mbi bazën e të cilit u nënshkrua edhe një deklaratë mes përfaqësuesve të dy partive më të mëdha politike parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni, Imer Imerit (PPD), Arbën Xhaferit (PDSH) me përfaqësuesin politik të kryengritësve shqptarë, Ali Ahmeti, e njohur si Deklarata e Prizrenit, e cila u nënshkrua në Prizren, më 22 maj 2001.

Nga bisedimet e 17-18 dhjetorit 1996, në Shkup, mund të përfundojmë se faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka qenë i interesuar dhe aktiv, duke nxitur debat të hapur për krijimin e marrëdhënieve të mira e të harmonishme mes dy popujve shumicë në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve, sidomos për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe hapjen e perspektivave evropiane të Maqedonisë.

Për ta kuptuar temën bosht dhe seriozitetin e këtyre bisedimeve, duhet t’i veçojmë me këtë rast kërkesat e parashtruara edhe me shkrim nga përfaqësuesi i Komunës së Tetovës, Vullnet Palloshi, që sipas dokumentit autentik, si kërkesë kryesore parashtrohet çështja e statusit juridik-kushtetues dhe politik i shqiptarëve në Maqedoni: ,,të jenë popull konstituiv, shtetformues në Maqedoni”.

(Për shkak të natyrës së portalit janë hequr përfundimet dhe referencat e shkrimit)

(13 gusht 2017)

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close