Alarm në Shqipëri, pas të nxehtit priten termete dhe reshje të shiut

Vera më e thatë dhe më e nxehtë e 80 viteve të fundit që ka prekur vendin tonë, përveç problematikës aktuale të zjarreve pritet të ketë pasoja edhe gjatë vjeshtës, por edhe më tej.

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi gjatë një takimi pune në Prefekturën e Tiranës me drejtuesit e zjarrfikësve dhe pushtetit lokal, ka paralajmëruar për rreziqe në një të ardhme jo të largët nga tërmetet dhe shirat, njofton TCH.

“Pas një vere të nxehtë lind një problem i rrezikshëm. Së pari duhet të kemi parasysh që periudha e ripërsëritjeve të tërmeteve është me kohë dhe limite të përcaktuara. Duke llogaritur tërmetet e vitit ‘67 në periudhën e kthimit një herë në 50 vite, ne përkojmë me rrezikshmërinë e lartë të tërmeteve në Shqipëri në të dy korridoret Elbasan, Tiranë, Shkodër, Dibër, Korçë, etj. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme, pasi kanë nisur lëkundjet e para në qarkun e Elbasanit, kryesisht në Qukës. Ne le t’i lutemi Zotit të mos ketë tërmete me pasoja, por duhet të jemi të përgatitur pasi rreziku i tërmeteve në fund të 2017-s dhe në fillim të 2018-s është real, siç e ka treguar dhe gjeoshkenca”, ka deklaruar Prençi.

Prençi ka kërkuar gatishmëri të strukturave edhe për shirat që mund të prekin vendin pas muajit shtator. “Duhet të përgatitemi me shirat që do të vijnë pas një vere të nxehtë e të thatë, ku është trazuar gjithë korja e Tokës dhe do të përballemi me shiun e parë që do të vijë pas shtatorit, me përmbytje që do të bllokojnë gjithë sistemin e kanaleve”, ka thënë Prençi.

Ndërsa sa i takon situatës aktuale të zjarreve, kreu i Emergjencave Civile ka kërkuar që të rritet monitorimi në zonat pyjore, në mënyrë që strukturat të lajmërohen që në fazat e para, me qëllim që të minimizohen dëmet dhe që vatrat të vihen nën kontroll më shpejt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button