VMRO-DPMNE-ja ngriti interpelancë për Carovskën edhe përkundër informatave të përgënjeshtruara

Opozita e VMRO-DPMNE-së ngriti interpelancë për ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska për shkak se ministrja nuk është konsultuar me qytetarët gjatë formimit të strategjisë për emigrantët, njofton Portalb.mk.

“Qytetarët nuk janë të njohur me strategjinë, ndërsa komunat janë vënë para një akti të kryer”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev.

“Ministria nuk i ka konsultuar as qytetarët e as komunat, ndërsa këtu ky lloj dokumenti afatgjatë për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë miratohet pa pëlqimin e qytetarëve. Bëhet fjalë për dokument strategjik për të ardhmen e Maqedonisë, për projektet që do të ketë harxhime enorme në miliarda euro në dhjetë vitet e ardhshme, në pjesën e akomodimit, ndërtimin e ndërtesave për emigrantët ashtu siç shkruan në strategjinë e tyre. Harxhime enorme për punësime, për programe sociale, fonde që nuk i kemi”, tha Gjorçev.

Nga Ministri dje i kanë demantuar informatat nga kjo parti se strategjia parashikon ndërtimin e ndërtesave për emigrantët.

“Lajm i rrejshëm është se shteti do të ndërtojë ndërtesa për emigrantët dhe se ata do të rinë në Maqedoni. Në Republikën e Maqedonisë nuk do të ndërtohen kampe për emigrantët, nuk do t’ju epet shtetësi, as që do të aktivizohet ndonjë masë tjetër në atë drejtim. Maqedonia është shtet me stacion transit për emigrantët. Propozim strategjia për emigrantët 2017-2027 është vazhdim i strategjisë së njëjtë prej periudhës 2009-2015, e miratuar nga qeveria paraprake e VMRO-DPMNE-së”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Ndryshe, në Maqedoni aktualisht ka një dy pika për pranimin e refugjatëve por numri e personave në to është simbolik.

Valën më të madhe të migrantëve, Maqedonia e përjetoi para dy vjetësh, kur dhjetëra mijëra migrantë nga Siria, Afganistani, Irani dhe vende tjera aziatike hynë në Maqedoni. Në disa raste, pati edhe incidente për shkak të mbylljes së kufijve, ndërsa janë regjistruar edhe vdekje të migrantëve në aksidente të ndryshme gjatë rrugëtimit të tyre drejt Serbisë,  shtetit të radhës drejt destinacionit final, shtetet e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button