Asamblisti i VV-së në Prishtinë i bashkohet PDK-së

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Misin Bajrami, i është bashkuar sot degës së PDK-së në kryeqytet.

Në prezantimin e tij, dega e PDK-së ka thënë se Bajrami i është bashkuar partisë shkaku i pakënaqësive për qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë.

“Pas shpërthimit të aferave korruptive në qeverisjen e Shpend Ahmetit, partinë Vetëvendosje po e braktisin edhe asamblistët e vet në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë në marrëveshje me anëtarët e tjerë të pikës së Vetëvendosjes në Hajvali, e cila është shumë e pakënaqur me qeverisjen e Shpend Ahmetit, transmeton Koha.net.

“Pakënaqësia e banorëve të Hajvalisë me qasjen e Vetëvendosjes në Prishtinë dhe skandalet e tyre, të cilat kanë shpërthyer këto javë, më kanë bërë që të reflektojë dhe t’i bashkohem PDK-së, e cila është opozitë në Prishtinë”, ka thënë Bajrami.

“Unë si asamblist dhe si pjesë e deritashme e Vetëvendosjes turpërohem me punësimet partiake të militantëve të dhunshëm të tyre në Ndërmarrjet Publike, me aferat korruptive në sektorin e ndërtimeve, me degradimin e arsimit dhe me injorimin e vazhdueshëm të kuadrove nga Prishtina. Pra, ndjehem i tepërt të vazhdojë të qëndrojë më tutje si pjesë e një partie, e cila me taksat e qytetarëve të Prishtinës financon aktivitetet e kundërligjshme të grupeve të dhunshme të tyre”, ka thënë asamblisti i deritashëm i Vetëvendosjes.

Bajrami ka thënë se bashkë me shumë të tjerë ishte angazhuar në Vetëvendosje duke besuar në ndryshim, por jo në një ndryshim për jetën dhe luksin e shefave të Vetëvendosjes, por në një ndryshim shoqëror të përgjithshëm.

Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, me kalimin e Bajramit në Partinë Demokratike të Kosovës, ka thënë se tash janë partia e dytë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button