Zgjedhjet lokale, Tuntev: Presim fitore bindëse në interes të qytetarëve

E përshëndesim aktin e sotëm të shpalljes së zgjedhjeve lokale për më 15 tetor dhe presim fitore bindëse të kandidatëve tanë për kryetar të komunave dhe këshilltarëve në interes të qytetarëve. Kështu u shpreh sot koordinatori i grupit parlamentar të Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë nga qendra për informim në Kuvendin e Maqedonisë, Tomisllav Tuntev, njofton Portalb.mk.

“LSDM është e përgatitur për zgjedhje lokale të cilat pas ndryshimit të pushtetit qendror do të sjellin ndryshime në nivel lokal”, tha Tuntev.

Tomisllav Tuntev tha se ndryshimi i pushtetit qendror erdhi për të realizuar reforma dhe çlirim të institucioneve të robëruara dhe e njëjta pas 15 tetorit do të ndodhë edhe në pushtetin lokal.

“Me fitoren e LSDM në zgjedhjet paraprake procesi i filluar për reforma dhe çlirim do të vazhdohet edhe në nivel lokal. Pas ndryshimit të pushtetit lokal do të ndalohet tërësisht partizimi i institucioneve të robëruara në nivel komunal të cilat janë të robëruara dhe partizuara nga VMRO-DPMNE-ja. Opsioni qytetar i udhëhequr nga LSDM sjell vlera dhe përfitime të reja. Komunat do të punojnë për qytetarët dhe për lehtësim të barrës së tyre jetësore. Qytetarët dhe zgjidhja e problemeve të tyre do të bëhet realitet në nivel lokal”, tha Tuntev.

Ai ftoi të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe efikase që të kontribuojnë për zgjedhje lokale fer dhe demokratike.

Kjo deklaratë e Tuntevit erdhi pasi sot kryeparlamentari Xhaferi shpalli zgjedhjet lokale për më 15 tetor të 2017-s. Kjo datë është pranuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor nga ku njoftojnë se pritet shpallja në Gazetën Zyrtare.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen më 15 tetor të 2017-s kurse fushata zgjedhore për to do të fillojë njëzetë ditë para mbajtjes së tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button