Në Çifte Hamam hapet ekspozita “(H)am(m)am” e Helidon Gjergjit

Në hapësirat e objektit “Çifte Hamam” të Çarshisë së Vjetër të Shkupit u hap projekti “(H)am(m)am” i artistit multimedial, Helidon Gjergji, i cili do të jetë i hapur për publikun deri më 24 gusht të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Projekti përbëhet prej tre pjesëve, disa të krijuara konkretisht për hapësirën fizike të Çifte Hamamit, ndërsa dy pjesët e tjera kanë një interpretim specifik hapësinor të instalacioneve dhe objekteve të deritanishme. Pjesa më specifike e projektit ishte salla e mjegullosur me tym, drita e brishtë e cila depërtonte nga kupola që krijonte atmosferë magjike, ndërkohë që në hapësirë dëgjoheshin tinguj të muzikës.

Ndërkohë, në një sallë tjetër ishin bërë kombinim pasqyrash nga Bienalja në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe erëzave nga Manifesta, duke krijuar një korridor abstrakt dhe të pafund në të cilën çdo anë e pasqyron anën e kundërt.

Autori i projektit, Helidon Gjergji, në hapjen e projektit të tij theksoi se është hera parë që vjen në Shkup dhe ajo që i ka lënë përshtypje është harmonia mes popujve dhe kulturave të ndryshme në këtë vend. Ai shtoi se në Maqedoni nuk është ndjerë si i huaj.

“Më interesonte komunikimi ndërmjet komuniteteve të ndryshme, se si kulturat bashkëjetojnë, luftojnë me njëra tjetrën dhe se çfarë kanë të përbashkëta. Dhe, në fund, rezultoi se kishin më shumë gjëra të përbashkëta se sa të ndryshme”, u shpreh Gjergji, duke shtuar se këtë frymë të jetesës së përbashkët të popujve në Maqedoni është përpjekur ta shpreh në ekspozitë.

Në hapjen e eksozitës të pranishëm ishin përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë në Shkup, mysafirë të tjerë, artistë dhe dashamirë të artit. Para të pranishmëve u adresua edhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri, i cili tha se: “Helidon Gjergjin e përgëzojmë për këtë ekspozitë të pazakontë, e përgëzojmë për idenë dhe realizimin e jashtëzakonshëm të kësaj ekspozite. Elidonin e ka bërë të njohur puna e tij ndryshe, qasja e tij ndryshe dhe botëkuptimi i ndryshëm modern për artit”.

Kush është Helidon Gjergji?

Helidon Gjergji (i lindur në vitin 1970 në Tiranë, Shqipëri) është artist bashkëkohor i cili punon në media të ndryshe. Studimet i ka kryer në Akademinë e Arteve në Tiranë, ndërsa me hapjen e kufijve të Shqipërisë në vitin 1991, u shpërngul në Itali, ku vazhdoi studimet mbi artet vizuale dhe diplomoi në Akademinë e Arteve Figurative në Napoli. Më vonë ai u shpërngul në Chicago, ndërsa aktualisht jeton në New York dhe ligjëron në universitetin shtetëror të këtij qyteti “Sunny Old Westbury”.

Në karrierën e tij, Gjergji ka punuar në media të ndryshme, nga pikturimi deri tek instalimet dhe arkitektura. Megjithatë, përmes mediave të ndryshme, ai në veprat e tij vazhdimisht është përpjekur të vë në pah zbrazëtirat dhe brishtësinë e kufijve mes mediave, vetes dhe parametrave të ndikimit individual.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button