Kryetari i Komunës premton, Shkollë e re në Vizbeg?

Lagjja e Vizbegut në një ta ardhme të shpejtë pritet të bëhet me shkollë fillore. Kështu ka paralajmëruar kryetari i komunës së Butelit, Petre Llatinovski duke sqaruar se ky objekt shkollor do të fillojë të ndërtohet pasi të përpilohet plani detal urbanistik për këtë pjesë. Ai duke prezantuar planin e ri detal urbanistik ku dhe është paraparë hapësira për ndërtimin e shkollës, tha se është siguruar një sipërfaqe prej 11 mijë katrorë ku parashihet të ndërtohet një objekt në bazë të të gjitha standardeve për mësim.

“Shpresoj që plani detal urbanistik, sipas të gjitha standardeve do të kalojë nëpër disa faza. Sipas përvojës që kemi dhe në bazë të angazhimeve që do t’i kemi të gjithë, afati i miratimit të tij, do të marrë të paktën 6 deri në 7 muaj.Pastaj e bëjmë projektin për vendin ku do të ndërtohet shkolla, e cila shpresoj se në një të ardhme shumë të afërt, nëse do të sigurojmë mjete, do të fillojë të ndërtohet”, tha Petre Llatinovski, kryetar i Komunës së Butelit. 

Sipas Llatinovskit, vendi për ndërtimin e shkollës është siguruar në pajtim me qytetarët e Vizbegut dhe këshilltarët e komunës. Ai në veçanti përmendi kontributin e këshilltares së qytetit të Shkupit, Halide Palloshi e cila kishte ngritur këtë iniciativë për ndërtimin e një shkolle të re në Vizbeg për rreth 1 mijë nxënës. 

“Ajo që dua ta theksoj është se ne shohim edhe më larg. Planin detal urbanistik nuk e bëjmë vetëm për ta vendosur maketin e një shkolle fillore me 1 mijë metra katrorë. Asnjë shkollë në Shkup, për momentin nuk ka një hapësirë të tillë. Ne mendojmë që shkolla të paraqesë një qendër jo vetëm të karakterit edukativ, por të paraqes një qendër në të cilën do të zhvillohen edhe shumë manifestime kulturore. Planifikojmë të ndërtojmë edhe terrene sportive, të ndërtojmë park që të mund qytetarët ta shfrytëzojnë këtë hapësirë”, tha Petre Llatinovski, kryetar i Komunës së Butelit. 

Banorët e Vizbegut me vite të tëra kanë shprehur nevojën për një shkollë fillore për shkak se fëmijët e tyre janë të detyruar të shpërndahen nëpër disa shkolla. Disa prej nxënësve të Vizbegut mësojnë në komunën Shuto Orizarë, Çair, Butel dhe Karposh. Vetëm sa për rikujtim, rreth 700 nxënës të Vizbegut mësojnë në shkollën fillore “26 korriku” të Shuto Orizares, e cila për shkak të mbingarkesës prej vitesh detyrohet të punojë në tre turne./alsat-m/

Lajme të ngjashme

Back to top button