Taravari konfirmon arsyen e vdekjes së personave nga Gostivari (VIDEO)

Ministri i shëndetësisë Arben Taravari, përmes një video porosie nga SHBA-të, konfirmoi se arsyeja për vdekjen e 50 vjeçarit gostivaras janë Ethet hemorragjike gjatë së cilave prishen veshkat për shkak të infeksionit nga virusi “hantan”.

“Bëhet fjalë për variantin më të mirë të “etheve hemorragjike- lantan” e cila nuk përcjellët nga njeriu në njeri, por nga brejtësit. Gjendja është nën kontroll dhe do të vazhdojmë ta ndjekim edhe më tutje”, theksoi Taravari.

Ministri njoftoi se ka edhe dy raste të reja në Klinikën për sëmundje infektive, por tani për tani gjendja është nën kontroll. Ekipe të epidemiologëve sot kanë qenë  në fshatin Simnicë, ku është bërë dezinfektim dhe deratizimi i fshatit, gjithkund ku kanë lëvizur të ndjerit.

Epidemiologët kanë qenë edhe në repartin për sëmundje infektive në Gostrivar, ku u janë dhënë instruksione ekipit mjekësor, se si të reagojnë në rast se paraqiten raste të reja të të infektuarve. Taravari theksoi se gjatë këtij viti ka pasur edhe katër të sëmurë me ethe hemorragjike, por ata janë shëruar.

____________________________________________________

 

Ethet hemorragjike janë shkak për vdekjen e 50 vjeçarit gostivaras i cili ndërroi jetë përpara katër ditëve në Klinikën Infektive, mëson jo-zyrtarisht NOVATV, njofton Portalb.mk.

Te personi i ndjerë janë gjetur titer i lartë i virusit “hantan”. Bëhet fjalë për Ethe hemorragjike gjatë së cilës prishen veshkat për shkak të infeksionit nga virusi “hantan”.

Nga ana tjetër arsyeja për vdekjen e djalit të tij ende nuk dihet pasi që në mostrat e marrë për analizë nuk janë zhvilluar antitrupat. Ekspertët thonë se nuk ka vend për panik pasi që në rastin konkret përjashtohet mundësia nga Kongo-Krimesë e Ethet Hemorragjike e cila është një sëmundje shumë e rrezikshme dhe ngjitëse.

Autopsia te babai nuk është bërë pasi që nuk kanë lejuar familjarët. Jo-zyrtarisht gjatë autopsisë së djalit të tij, 23 vjeçar nuk është konstatuar asnjëfarë helmimi nga pesticidet ose preparatet tjera.

Ndryshe, edhe tre persona nga fshati i Gostivarit janë hospitalizuar në Klinikën për sëmundje infektive me temperaturë të lartë, bark-qitje, vjellje. Ata së bashku me katër të tjerë të cilët janë hospitalizuar me simptoma të njëjta në Klinikë janë me pasqyrë më të lehtë klinike dhe nuk janë në gjendje të rrezikshme për jetë, deklaroi sot zëvendësministri i Shëndetësisë, Goce Çakarovski.

Ndërkohë priten rezultatet nga analizat për përcaktimin e shkakut të vdekjes së dy personave nga fshati i Gostivarit Simnicë të cilët vdiqën në Klinikën për sëmundje infektive pasi që ishin sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Çakarovski tha se janë bërë hulumtime në Maqedoni dhe se priten rezultatet nga qendrat e huaja.

“Ekipet dje nuk arritën të ngjiten drejt stanit, sepse ai është terren i pakalueshëm. Sot siguruam automjet terreni. Ekipet tona janë në terren”, theksoi Çakarovski.

Ai tha se janë lëshuar mostra edhe në qendrat referente dhe kur do t’i bashkojnë dy rezultatet do të dalin në opinion.

“Komisioni për sëmundje infektive vazhdimisht mban mbledhje. Shpresoj se deri në fund të ditës, më së voni deri nesër opinioni do të marrë informatë konkrete për të gjitha ngjarjet me rezultate definitive për shkaktarët”, shtoi Çakarovski.

LEXO: Dy pacientë ndërruan jetë, ndërsa katër të tjerë ndodhen në Klinikë nga sëmundja ende e panjohur

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button