fbpx

PAS TRIESTES: JUGO-SERBOSFERA vs ALBANOSFERA (II)

Termi jugosferë është i lidhur me jugonostalgjinë, dukuri shoqërore kjo nga vendet e dala nga rrënojat e ish-Jugosllavisë, nocion i ri sociologjik; koncept që idealizon gjendjen e përgjithshme ekonomike, kulturore dhe të sigurisë në kohën e Jugosllavisë socialiste mes viteve 1945-1990. Termi është shfaqur pas shkatërrimit të shtetit të vjetër, në fillim të viteve 1990. Ndjenjë ëndërrimtare për të rikthyer realitetin shoqëror të dikurshëm jugosllav, vlerësim i periudhës titiste si „epokë e artë“, si epokë e lumturisë, si një „periudhë e pashembullt historike“. Si pasojë e ndryshimeve të mëdha shoqërore, që prekë Europën Juglindiore, jugonostalgjia është e kufizuar kryesisht te individët dhe grupet e vogla që pjesën më të madhe të jetës e kanë kaluar në RSFJ, epokë kjo të cilën e konsiderojnë pozitive dhe fatmirë në krahasim me kohën e luftërave dhe të pasigurisë ekonomike që erdhi pas vitit 1991. Si shembuj të sjelljes jugonostalgjike janë festimi i ditëlindjes së Titos, 25 maji, vizita e shtëpisë së lindjes së tij në Kumrovec, vizita e shtëpisë së luleve në Beograd, themelimi i shoqatave Josip Broz Tito, shënimet nëpër rekuizite si “(Tito) Kthehu, gjithçka të është falur!”, si dhe web-faqet e ndryshme që “lartësojnë” periudhën titiste. Fenomeni jugonostalgjik është i theksuar më shumë në Bosnjën dejtoniane por edhe në ish republikat e tjera të Jugosllavisë socialiste. Sipas veprës Strategjia e ndërtimit të kombit në shtetet e Europës Juglindore që është rezultat i hulumtimi të realizuar nga IPSOS (2017) me 10.500 qytetarë të rajonit pa Slloveninë, për Jugosllavinë më tepër “qajnë” serbët (71 %), qytetarët e Bosnjës (68%), qytetarët e Maqedonisë (45%, me gjasë shumë më tepër maqedonasit etnikë sesa shqiptarët), malazezët (28.1%), kurse më pak kroatët (18%) dhe shqiptarët (5.4%). Jugonostalgjia mund të quhet njëfarë sindromi tranzicional postraumatik. Është interesant dhe kontradiktor fakti që boshnjakët shprehin simpati ndaj ish-Jugosllavisë ndonëse ata ia pësuan më së keqi nga filozofia e saj e vëllazërim bashkimit. Në një shkrim të titulluar “Boshnjakët dhe jugonostalgjia” një qytetar i Bosnjës shprehet se “SHBA-të e kanë shkatërruar Jugosllavinë, shtetin tonë më të bukur”, pohim ky që është interpretuar si element i sindormit të trurit të shpëlarë si pasojë e epokës komuniste të Jugosllavisë së Titos kur diskriminimi nuk ishte gjithaq i dukshëm ndaj boshnjakëve të cilët nga kompleksi i vlerës më të ulët (vetëperceptimi i të qenët musliman përkundër kombeve më të mëdha sllave, atij serb dhe kroat) synonin identifikimin me sllavizmin pa u përkujdesur për identitetin e tyre, gjë të cilën e paguan me gjenocidin e shtatë.

Shqiptarët, të cilët kanë një përvojë të hidhur me jugosllavitë dhe sllavët, thuajse s’kanë kësifarë emocionaliteti, me përjashtim të disa figurave familjarisht të privilegjuara në kohën e komunizmit. Sipas Begoviqit (2012) shqiptarët, si populli më i vjetër ballkanik, asnjëherë nuk janë mahnitur me Jugosllavinë. Këtë e vërtetojnë edhe analizat emprike. Sot, shqiptarët e ish-Jugosllavisë psikologjikisht dhe kulturalisht janë jashtë jugosferës sepse e shohin atë se mundësi për ritrupëzim të Jugosllavisë. Pas një shekulli të shkëputjes nga Shqipëria, një sferë gjithëshqiptare po përhapet në trojet e banuara me shqiptarë. Sipas hulumtuesit të njohur Tim Judah, kjo nuk do të thotë se po krijohet një Shqipëri e Madhe sikur që sferat e ndikimit të Serbisë dhe Kroacisë nuk shpien domosdoshmërisht në krijimin e Serbisë së Madhe apo të Kroacisë së Madhe. Në këtë rajon ku përkundër Europës Perëndimore, procesi i kombndërtimit nuk ka përfunduar, në korniza afatgjatë duhet që të punohet për një rajon bashkëpunues dhe stabil në të cilin njerëzit do t’i pranojnë kufijtë por do të ekzistojnë në sfera të ndryshme, albanosferë, në kontakt me jugosferën dhe që është më e rëndësishmja, të gatshëm për t’u bërë vërtetësisht pjesë e Eurosferës. Për fund, lirisht mund të thuhet se siç u vërtetua edhe në Trieste simpati më të madhe për një alternativë të Jugosllavisë ka tek shqiptarët e Shqipërisë, kurse për ata që kanë jetuar në shtetin sllavocentrik, edhe jugosfera edhe jugonostalgjia janë non grata, e para ndoshta vetëm për komunikim ekonomik, ndërsa e dyta e barabartë me një null. Hulumtimi i Gallup (2017) tregon se “njësoj si qëndrimi i rusëve për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, edhe serbët mund të ndjejnë një sens akut të humbjes si kombi kryesor në shtetin e dikurshëm multinacional”. Është interesante se 81 për qind e serbëve janë shprehur se shkatërrimi Jugosllavisë ishte i dëmshëm për ta. Sipas të njëjtit hulumtim 75 për qind e respondentëve kosovarë e shohin shpërbërjen e Jugosllavisë si të dobishme. Serbët janë më jugonostalgjikët prej entiteteve të ish-Jugosllavisë për arsye se ai shtet ka qenë më së afërmi idealit që të “gjithë serbët të jenë në një shtet”, me fjalë të tjera, më afër Serbisë së Madhe. Privilegjet e dikurshme i kërkon vetëm ai që i ka gëzuar dikur, kurse shqiptarët s’kanë pasur të tilla, shteti jugosllav për ta ka enë një makth, andaj për ta, kthim prapa s’ka, jugosferën nuk e shohin si hapësirë organike të veten. Rruga e tyre kalon nga albanosfera në eurosferë! Në asnjë mënyrë përmes Jugosllavisë së Re apo jugosferës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button