Kinë, kapsulat e gjumit alternativë pushimi për punonjësit

Kapsulat e gjumit, të cilat po përhapen me shpejtësi në çdo sferë të jetës në Kinë dhe në të cilat pagesa bëhet përmes telefonave celularë, kanë fituar vëmendjen e të gjithë punonjësve në këtë vend, përfshirë edhe punonjësit administrativë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Metoda e pagesës përmes telefonave celularë, e cila tanimë është aktive në qendra tregtare, taksi, restorante, dyqane dhe madje edhe shitës mobilë, tanimë është bërë metodë që u shërben edhe atyre që dëshirojnë të pushojnë duke fjetur, qoftë edhe për disa minuta.

Të gjera një metër dhe të gjata dy metra, kapsulat me dizajnin futuristik të lënë përshtypjen e një sonde kozmike. Ato mund të përdoren lehtë dhe për shkak se janë ekonomike, po përhapen me shpejtësi në vend.

Metodat e pagesës së shërbimeve me barkod dydimensional (QR), të cilat janë tepër të përhapura në Kinë, mundësojnë që përdoruesit të pagesat ditore t’i kryejnë përmes telefonëve të tyre të mençur, pa bartur me vete kartë bankare, kartë kreditore apo kuletë.

Me aplikacionin mobil “Wechat”, i cili ka rreth 800 milionë përdorues në Kinë, mund të bëhet leximi i barkodit QR mbi kapsula. Më pas, pas regjistrimit të shkurtër përmes numrit të telefonit celular, hapet dera e kapsulës dhe përdoruesit mund ta shijojnë gjumin brenda.

Llogaritja e kohëzgjatjes së përdorimit të kapsulës llogaritet automatikisht nga aplikacioni. Pasi përdoruesi të dalë nga kapsula pas zgjimit, të mbyllë derën e saj dhe të bëjë pagesën me “Wechat”, dera e kapsulës mbyllet automatikisht deri në përdorimin e radhës.

Kapsulat dezinfektohen me rreze ultravjollcë pas çdo përdorimi, duke u përgatitur për përdoruesin e radhës.

Në kapsulë ofrohen edhe produkte pa pagesë si batanije dhe mbulesë jastëku për një përdorim, si dhe shërbime si prizë, varëse rrobash, llambë nate dhe mini ventilator.

“Lugina e Silikonit” e Pekinit, rajoni me kërkesë më të madhe

Kompleksi gjigant teknologjik Zhongguancun, që emërohet si “Lugina e Silikonit” e kryeqytetit Pekin, është rajoni me kërkesë më të madhe për kapsulat e gjumit.

Guang Tienliang, punonjës në një nga pikat e kapsulave të gjumit, për AA tha se është e pamundur të gjendet vend i lirë në kapsula nga ora 10:00 deri në orën 15:00.

Ai thotë se në kapsula më së shumti vijnë punonjës të sektorit elektronik të cilët shpeshherë punojnë jashtë orarit, ndërsa ato parapëlqehen edhe nga punonjës që i kanë shtëpitë larg nga vendet e punës dhe dalin vonë nga puna dhe, në këtë mënyrë, e preferojnë ta kalojnë natën në kapsulë.

Në ndërkohë, programuesi kompjuterik Vang Yimin, thotë se tanimë më nuk ka nevojë të bëjë gjumë duke mbështetur kokën në tavolinë pas drekës që ha në pushim, duke shtuar se mendon që të bëjë abonim mujor.

Krahas Pekinit, në tre muajt e fundit janë vendosur mbi 100 kapsula në qendrën ekonomike dhe financiare Shangaj dhe në disa qytete të tjera. Numri i përdoruesve të kapsulave është rritur në dhjetë mijë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button