Bilanci më i ri nga tërmeti në Kos: Dy të vdekur dhe mbi 500 të lënduar

Dy të vdekur dhe mbi 500 të lënduar është bilanci më i ri i viktimave nga tërmeti me intensitet prej rreth 6,5 ballëve sipas Shkallës së Rihterit, që herët në mëngjes i goditi ishullin grek Kos në pjesën juglindore të Detit Egje dhe bregdetin e afërt turk, transmeton MIA.

Tërmeti është regjistruar në orën 1,31 sipas kohës lokale (31 minuta pas mesnate sipas kohës së mesme evropiane) në thellësi prej 7,8 kilometrash nën sipërfaqen e tokës, me epiqendër në ishullin Kos.

Dy të vdekurit janë turistë nga Suedia dhe Turqia, të cilët e kanë humbur jetën kur mbi ta është rrënuar një mur i një bari nate në Kos.

Autoritetet greke kumtuan se personat të cilët humbën jetën janë identifikuar, por refuzuan t’i publikojnë emrat e tyre. Mediat turke, megjthatë, njoftuan se shtetasi i Turqisë i cili humbi jetën është identifikuar si Sinan Kurdogllu.

Në Kos janë regjistruar rreth 150 person të lënduar, prej të cilëve 13 kanë marrë lëndime më të rënda dhe janë transferuar në spitale në pjesën kontinentale të Greqisë. Në mesin e tyre janë edhe një shtetas i huaj të cilit i është amputuar këmba, si edhe një person i cili ndodhet në gjendje kritike.

Në të njëjtën kohë, siç kumtuan autoritetet turke, nga dridhja dhe goditja e cunamit në bregdetin jugor të Egjeut në Turqi janë lënduar pothuajse 350 persona. Shumica e viktimave kanë marrë lëndime kur në panik i kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe dhomat në të cilat janë akomoduar.

Qeveria turke dërgoi edhe anije speciale në Kos, prej ku janë evakuuar rreth 200 turq të cilët kanë qenë për pushime në ishullin grek.

Sipas të dhënave të autoriteteve greke, në mesin e objekteve të dëmtuara në Kos janë edhe disa kisha, një xhami e vjetër si dhe një kështjellë e ndërtuar në shekullin e 14-të.

Dëmtime të objekteve ka edhe në bregdetin turk, ndërsa goditja e valës së madhe të ujit ka vërshuar më shumë hotele dhe restorante në bregun e qytetit Bodrum. Sipas observatorit të Stambollit “Kandili”, uji i detit nga cunami, i cili vende-vende ka arritur deri në 10 metra lartësi, ka depërtuar rreth njëqind metra në brendësi të bregut.

Në Bodrum është rrënuar edhe çatia e një spitali, me ç’rast të gjithë pacientët janë evakuuar, ndërsa më së shumti dëme ka edhe në rajonin e gjirit Gumbet.

Mediat lokale njoftuan se qindra mijëra turistë dhe banorë lokalë në ishujt e Egjeut dhe në bregdetin turk natën e kanë kaluar nën qiell të hapur në plazhe dhe në ballkonet e kafeneve dhe restoranteve.

Një numër i madh i turistëve u larguan nga rajoni duke druajtur nga tërmete të reja.

Sipas sizmologëve gjatë ditës janë regjistruar mbi 100 dridhje dytësore me intensitet më të dobët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button