fbpx

Paul Haggis takoi publikun e Prishtinës

Paul Haggis, fitues i dy çmimeve Oscar, çmimeve BAFTA dhe Emmy, regjisor, skenarist dhe producent me karrierë 42 vjeçare në industri të filmit, po qëndron në Prishtinë në kuadër te festivlit “PriFilmFest”, që aktualisht po zhvillon edicionin e nëntë në kryeqytet.
Gjatë të martës Haggis u takua me artistët e publikun kosovarë, me të cilët bashkëbisedoi gjatë një konference të hapur në ambientet e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Duke u përgjigjur pyetjeve të drejtorit të “PriFilmFest”, Fatos Berisha, por edhe gazetarëve, aktorëve dhe publikut, Haggis tregoi historinë e tij. Ai foli për fillimet e karrierës së tij, frymëzimin, jetën personale dhe peshën që çmimet “Oscars” kanë pasur në jetën dhe të ardhmen e tij, shkruan zeri.info.

Duke folur për origjinalitetin ai tha se ndikimi nga veprat e tjera artistike është i pashmangshëm për krijuesin.
“Kur nisim të krijojmë në fillim, të gjithë ne vjedhim nga pak nga të tjerët, derisa të fillojmë të krijojmë diçka origjinale. Dhe kjo nuk është një gjë e keqe. Ti vjedh deri sa të jesh në gjendje të krijosh diçka tendën origjinale. Tani, unë nuk shikoj filma, nuk shkoj në teatër e as nuk shikoj video gjatë kohës sa jam duke shkruar dhe krijuar diçka sepse është e pamundur të mos ndikohesh nga diçka që e ke parë, kështu që unë provojë ta shmangi këtë”, tha Haggis.

Tutje ai theksoi se si artist, e ndjenë gjithmonë nevojën të shkruajë dhe të punojë vazhdimit. Ai nuk pret një moment të caktuar frymëzimi. Mundohet ta shfrytëzojë në maksimum kohën e tij.

“Nëse mbrëmë kam qenë duke shkruar diçka dhe sot në mëngjes nuk kam ndonjë ide menjëherë më torturon pyetja se çfarë po bëjë me jetën time dhe pse po e kaloj kohën pa shkruar apo punuar diçka”, thekson Haggis.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Haggis po merr pjesë në shumë aktivitete të cilat jo vetëm që po e pasurojnë festivalin, por edhe po i mundësojnë atij që të njihet nga afër me industrinë e filmit në vend dhe rajon.

Një program i veçantë i filmit, “Tribute to Paul Haggis”, po i mundëson publikut kosovar që të shohin filmat më të suksesshëm të Haggis si regjisor dhe skenarist. Mysafirin e nderin për këtë edicion e bëjnë të veçantë sukseset e tij që ka arritur përgjatë 42 viteve në karrierën filmike, prodhues i më shumë se 30 filmave, serialeve dhe programeve televizive, shumë prej të cilave kanë fituar çmime. Ai është gjithashtu skenaristi i parë në botë filmat e së cilit janë shpërblyer nga Akademia Amerikane e Filmit – Oscar për dy edicione të njëpasnjëshme (2005/2006). /Zëri

Image

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button