Mësime nga Lajpcigu

Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, në Marrëveshjen Paqësore të Versajës të vitit 1919 u parapa që të krijohet një tribunal ndërkombëtar ku do të gjykohej Vilhemi II, mbreti i atëhershëm i Gjermanisë, si fajtori kryesor për inicimin e luftës më të përgjakshme të parë deri atëherë. Njerëzit këtë luftë e quajtën Lufta e Madhe ose edhe Lufta për ti mbaruar të gjitha luftërat. Ideja ishte që të dënohet jo vetëm Vilhemi II por të gjithë shkaktarët e kësaj lufte e cila kishte pasoja të rënda për njerëzimin dhe të vendoset përgjegjësi për ato që në atë kohë u quajtën krime kundër ligjeve të njerëzimit. U formua një komision i cili hetoi krimet e luftës dhe i cili bëri një raport ku rreth 950 persona u gjetën të involvuar në planifikimin ose realizimin e krimeve. Përveç kësaj, u parapa që edhe zyrtarë të lartë të shtetit turk të gjykohen për krimet e bëra kundër Ermenëve, të cilat nga shumë historianë janë karakterizuar si një formë pak më e izoluar e Holokaustit.

Me kalimin e kohës, ideja që zyrtarët e lartë shtetërorë, duke përfshirë këtu edhe shefin e shtetit, të bartin përgjegjësi penale për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që i kanë shkaktuar përmes luftës, filloi të venitej ashtu si që kalonte koha, dhe filluan të paraqiten problem të reja (depresioni i madh ekonomik, rimëkëmbja e shteteve pas luftës, forcimi i pushtetit të partive fashiste dhe naciste, etj.) që drejtësinë e sakrifikuan në altarin e politikës. Tribunali ndërkombëtar që duhej të krijohet nuk u krijua asnjëherë. Vilhemi II iku në Hollandë dhe u strehua tek kushëriri i tij i cili ishte mbret i Hollandës dhe i cili refuozi ta ekstradojë. Forcat e Antantës bënë një listë nga 45 persona të cilët duhej të gjykohen. Nga 950 numri i përgjegësve që duhej të gjykohen u pakësua në 45. Për këta nuk u krijua një tribunal ndërkombëtar por të njëjtit u gjykuan në Gjykatën Supreme në Lajpcig, prej ku këto gjykime morën edhe emrin Gjykimet në Lajpcig. Kjo i bie që këto gjykime të jenë bërë në vedin kryesor përgjegjës përse filloi vetë lufta. I bie sikur rastet e Prokurirsë sonë Speciale të gjykohen në selinë e VMRO-DPMNE-së, që nuk është shumë larg këtij realiteti, duke pasur parasyshë që gjykatat tona ende sillen pikërisht si të tilla, dhe rrefuzojnë të vendosin drejtësinë. E pra, në Lajpcig nga ata 45 të propozuarit u dënuan gjithësej 12 persona me dënime nga 6 muaj deri në 5 vjet burgim. 6 muaj burgim për krime kundër njerëzimit? 5 vjet burgim për krime lufte? Vjedhjet prej në xhep në mes të pazarit, vrasjet e rëndomta për arsye banale marin dënime më të rënda se kaq. Ajo që sot quhet Gjenocidi ndaj Ermenëve, mbeti i padënuar dhe as që u përmend më pas mbarimit të luftës.

Gjykimet në Lajpcig njihen si një dështim i madh i vendosjes së drejtësisë pas luftës më të përgjakshme që njerëzimi e njihte në atë kohë. Politikanët në fillim, dhe gjytarët më pastaj, e sakrifikuan vendosjen e drejtësisë për qëllime të politikës ditore. Harruan sa e rendësishme është bartja e përgjegjësisë pas krimeve të rënda. Dështuan në vendosjen e prioriteteve, dhe shpejt paguan çmimin e këtij gabimi. Së shpejti në Gjermani erdhi në pushtet Hitleri, i cili në një fjalim të njohur të tij ka pyetur: “E kush mban mend sot atë që u ndodhi Emrenëve” duke aluduar në forcën që duhet përdorur për të zhdukur popuj tjerë, dhe duke qenë i sigurtë në mosbartjen e përgjegjësisë për këtë.

Lufta e Dytë Botërore filloi vetëm 10 vite pasi kishte përfunduar e para, dhe pasi përgjegjësia për krime nuk ishte bartur. Ajo ishte shumëfish më e përgjakshme se e para dhe nxori në shesh të gjithë egësrinë e njeriut dhe destruktivitetin e tij. Ajo luftë nuk kaloi më pa u dënuar, sepse të gjithë e kuptuan se pa barjtjen e përgjegjësisë penale paqa është e pamundur.

Në procesin që njihet si Tribunali Ndërkombëtar i Nyrnbergut, u gjykuan përgjegjësit kryesorë të Luftës së Dytë Botërore. Në mungesë të Hitlerit i cili u vetëvra, u gjykuan të gjithë bashkëpunëtorët e tij më të afërt. 22 persona u gjetën të fajshëm prej të cilëve 12 morën denim me vdekje ndërsa të tjerët u dënuan me burgim të përjetshëm ose me dënime tjera me burg afatgjatë. Personat e tjerë më pak të rëndësishëm por megjthatë përgjegjës për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe krime kundër paqes, u gjykuan në gjykime të veçanta dhe poashtu morën dënime serioze. Njerëzimi e mësoi mësimin dhe vendosi drejtësinë i cili proces më vonë kontribuoi që të mos ketë luftë në Evropë gati se 50 vite.

Shumë njerëz i kanë quajtur Gjykimet në Nyrnberg si gjykime të njëanshme, si gjykime të fituesve ndaj humbësve të luftës, duke pasur parasyshë që u gjykuan vetëm gjermanë. Por vetë gjermanët treguan pjekuri të madhe dhe kuptuan gabimin e këtyre njerëzve që kishin udhëhequr pushtetin e tyre dhe e bartën përgjegjësinë që u takonte. Ata nuk i shpallën kriminelët e luftës heronj dhe as që i mbrojtën ata, por përkundrazi, i trajtuan si kriminelë dhe si fajtorë kryesorë për gjendjen e mjerueshme ku e sollën Gjermaninë. Jorastësisht ky shtet sot vazhdon të jetë një fuqi botërore dhe ndoshta shteti më i rendësishëm në gjithë Evropën. Dikush meson nga gabimet e veta dhe nuk i përsërit ato më shumë se dy herë.

Gjyqtarët që duhet të vendosin drejtësinë duhet të kuptojnë se prej tyre varet paqeja dhe rikonstruimi i një shteti pasi ka kaluar traumën e një regjimi totalitar. Politikanët dhe pushtetarët duhet ta kuptojnë që duke sakrifikuar drejtësinë për qëllime politike kontribuojnë direkt në përsëritjen e krimeve, edhe atë në forma shumë më serioze dhe me pasoja shumë më të rënda. Ndërsa qytetarët, dhe vetë përkrahësit e poltikave totalitare dhe shoviniste, duhet të kuptojnë që pa pastrimin e rradhëve të tyre nga kriminelët që kanë keqpërdorur pushtetin dhe kanë kryer krime, mirëqenia e përgjithshme është thjeshtë e pamundur.

Jorastësisht parolla kryesore e protestave studentore që zgjuan vetëdijen qytetare në Maqedoni ishte: Pa drejtësi nuk ka qetësi!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button