Poloni: Protestohet kundër ndryshimeve në sistemin gjyqësor

Qindra persona kanë protestuar në Varshavë, pasi Senati i Polonisë ka miratuar dy projektligje për gjyqësorin, të cilat sipas opozitës konsiderohen si tentim nga partia konservatore në pushtet, për minimin e ndarjes së pushteteve.

Duke thirrur për barazi dhe liri, protestuesit kanë marshuar jashtë pallatit presidencial dhe i kanë kërkuar presidentit të Polonisë, Andrzej Duda të përdor veton ndaj këtyre projektligjeve, transmeton REL.

Gazeta Wyborcza ka thënë se protestat janë organizaur nga partitë opozitare të krahut të majtë dhe disa qytetarë.

Projektligji i parë që pret miratimin e presidentit Duda, përcakton se parlamenti, që tani kontollohet nga partia e krahut të djathtë, Ligji dhe Drejtësia (PiS), do të zgjedh anëtarët e Këshillit Kombëtar të Gjyqësisë.

Roli i këtij këshilli është mbrojtja e pavarësisë së gjykatës.

Projektligji i dytë i jep autoritetin ministrit të Drejtësisë, të emërojë gjyqtarët e Gjykatës Supreme.

Sipas po këtij projektligji, gjyqtarët e Gjykatës Supreme mund të detyrohen të dalin në pension, përveç atyre që i zgjedh ministri për të qëndruar.

Opozita ka konsideruar se sipas këtyre projektligjeve nuk do te ketë pavarësi në gjyqësor dhe do të cenohet sundimi i ligjit në Poloni.

Disa anëtarë të Parlamentit Evropian kanë thënë se këto projekligje janë pengesë për pavarësi të gjyqësorit në Poloni.

Jaroslaw Kaczynski, avokat dhe udhëheqës i partisë, PiS, e ka mbrojtur nismën e re, duke thënë se nevojiten “ndryshime radikale” për të rregulluar sistemin gjyqësor, i cili sipas tij, nuk është reformuar nga koha e komunizmit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button