Shkarkohen mbi 7 mijë policë në Turqi para përvjetorit të puçit të dështuar

Në prag të një vjetorit të grushtit të dështuar të shtetit, autoritetet turke shkarkuan më shumë se 7 mijë policë, punonjës të ministrive dhe akademikë.

Shkarkimet e reja janë pjesë e fushatës madhore të qeverisë së Rexhep Taip Erdoganit, për spastrimin e institucioneve shtetërore, përfshirë sistemin e drejtësisë, atë arsimor dhe policinë, pas trazirave të vitit të kaluar, informon TCH.

Në 15 korrik të 2016-ës pjesëtarë të ushtrisë tentuan të përmbysnin regjimin, duke bombarduar godinat qeveritare e duke hapur zjarr ndaj civilëve. Mbi 250 vetë mbetën të vrarë në trazirat që sipas autoriteteve turke, u orkestruan nga kleriku me bazë në SHBA, Fetullah Gylen.

Shkarkimet e fundit u vendosën me një dekret në 5 qershor, por u bënë publike vetëm të premten. Sipas tij, punonjësit janë njerëz që kanë vepruar kundër sigurisë së vendit, ose janë pjesë e një organizate terroriste.

Deri më tani autoritetet kanë shkarkuar më shumë se 150 mijë zyrtarë dhe kanë arrestuar 50 mijë pjesëtarë të ushtrisë, policisë e sektorëve të tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button