Trump Jr.: Babai nuk dinte asgjë për takimin me avokaten ruse

Trump Jr. këmbëngul se i ati nuk dinte asgjë mbi takimin e tij me avokaten ruse, që thoshte se mund të ndihmonte fushatën e miliarderit. 40-vjeçari i tha “Fox News” se takimi “ishte një hiç”, por tani mendon se duhet ta kishte menaxhuar ndryshe, transmeton Top Channel.

Një ditë më parë, ai publikoi “e-mail”-et që tregonin se e mirëpriste ofertën e juristes së lidhur me Kremlinin, e pretendonte se kishte në zotërim informacione dëmtuese për Hillary Clinton.

Në “e-mail”-e, përcjellja e këtyre të dhënave përshkruhet si pjesë e “mbështetjes së Rusisë dhe të qeverisë së saj për Trumpin” dhe nga sa pohonte avokatja, materiali ishte sensitiv.

Mesazhet e postës elektronike përbëjnë provën e parë konkrete, që tregon se një person i rrethit të ngushtë të manjatit ishte angazhuar me vetëdije, në atë që besohej të ishte një përpjekje e Moskës për të ndihmuar asokohe kandidatin Trump në zgjedhje.

“New York Times” sqaroi se Trump Jr. i publikoi “e-mail”-et në Twitter, pas paralajmërimeve të saj se do ta bënte vet një gjë të tillë. Sipas njoftimit, një nga partnerët e biznesit të presidentit Trump ishte kontaktuar nga një zyrtar i lartë i qeverisë ruse dhe po ofronte t’i jepte të birit informacion komprometues për Clintonin.

Nga sa pohon gazeta prestigjioze, ky i fundit është përgjigjur brenda pak minutash. “Nëse është ashtu siç thoni ju, më pëlqen shumë, sidomos nga fundi i verës”, pa dhënë asnjë shenjë se mund të ishte shqetësuar nga fakti që nuk dihej origjina e informacionit, apo që lëvizja ishte pjesë e përpjekjes ruse për të ndihmuar fushatën e të atit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button