Kryetari i Kuvendit Xhaferi u takua me ministren australiane Bishop

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Australisë Xhuli Bishop, e cila është për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Kjo vizitë, njoftoi shërbimi për informim i Kuvendit, korrespondon me fillimin e proceseve reformuese në Republikën e Maqedonisë, të cilët filluan me formimin e Qeverisë së re dhe paraqet vizitën e parë zyrtare të një funksionari të lartë shtetëror të Australisë prej pavarësimit të Republikës së Maqedonisë, nga viti 1991 e deri më sot.

Kryetari i Kuvendit Xhaferi, siç thuhet, ka shprehur kënaqësi të madhe nga kjo vizitë, duke theksuar se diplomacia parlamentare në nivel të lartë mes dy shteteve do të kontribuojë në pasurimin e mëtejshëm dhe avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella miqësore dhe të hapura bilaterale. Në atë drejtim, kryetari i Kuvendit demonstroi gatishmëri të jetë nikoqir i koleges australian dhe ka shprehur shpresë që grupet për bashkëpunim që rregullisht formohen në të dy parlamentet, do të vazhdojnë në frymën e bashkëpunimit intensiv dhe cilësor.

Marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Australisë i karakterizon shkallë e lartë e miqësisë, dialogut konstruktiv dhe të hapur politik të bazuar në marrëdhënie të partneritetit dhe respektit të ndërsjellë, me ç’rast diaspora e madhe nga Republika e Maqedonisë paraqet urë për lidhje dhe pasurim të raporteve të ndërsjella. Presim që vendimi i qeverisë australiane në lidhje me përdorimin e referencës në marrëdhëniet ndërkombëtare në masë të konsiderueshme do t’i ndryshojë perceptimet dhe shkallën e vlerave demokratike, qëndron në kumtesë.

Ministrja Bishop me kënaqësi të veçantë u fokusua në agjendën reformuese të Qeverisë së re dhe në Planin 3-6-9, me theks të veçantë në pjesën për respektimin e sundimit të së drejtës dhe zero tolerancë për korrupsionin, me çka vendi do të lëviz drejt rrugës së integrimeve evropiane dhe euroatlantike, për të cilat Australia jep mbështetje të fortë. Duke e theksuar traditën e pasur shekullore të demokracisë parlamentare australiane, që daton prej vitit 1901, Bishop ka shprehur se pret që shkëmbimi i përvojave nga praktika parlamentare dhe parimet e demokracisë parlamentare mes Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Parlamentit të Australisë, do të paraqet shtytës të proceseve reformuese në nivel parlamentar.

Ana australiane, siç është thënë, i çmon shumë dhe i përshëndet përpjekjet për transparencë të dhomës ligjvënëse, qasje të hapur të sektorit qytetar, organizatave joqeveritare, medieve si dhe rolin mbikëqyrës në punën e qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore. Hapat e këtillë konsiderueshëm do ta përforcojnë rolin e parlamentit si mbrojtës i sovranitetit dhe rendit kushtetues.

Bashkëbiseduesit kanë këmbyer pikëpamjet në lidhje me ngjarjet e pakëndshme nga 27 prilli, me ç’rast kanë konstatuar se vetëm me vizion të qartë dhe të fortë mund të vazhdohet në drejtim të ndërtimit të institucioneve stabile dhe demokratike dhe parlament që do të miratojë zgjidhje ligjore cilësore në interes të qytetarëve dhe të ardhmërisë së Republikës së Maqedonisë.

Australia edhe më tej në vazhdimësi do ta mbështesë Republikën e Maqedonisë dhe qytetarët e saj në proceset shoqërore demokratike dhe do të jetë partner i fuqishëm i saj në plan ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button