Samiti i Triestes, anëtarësimi për Ballkanin ende larg

Ballkani Perëndimor është në dhomën e pritjes, shkruan “DW” në analizën e fundit të saj mbi samitin e Triestes.

Përpara konferencës, të gjithë flasin për projekte ekonomike, por anëtarësimi është larg sepse nuk po bëhen reforma dhe se BE ka probleme brenda saj.

Premtimi i njohur i Selanikut, “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor ndodhet në Bashkimin Europian”, ishte për Eric Gordy nga “London University College”, një mënyrë taktike për të ruajtur influencën e bllokut në rajon. Vetëm se tani, kjo taktikë nuk po zë më vend, konstaton ai.

Zërat kundër zgjerimit janë gjithmonë e më të shumtë, ndaj Brukseli për të ruajtur influencën e tij duhet të ofrojë një perspektivë realiste, vlerëson Gordy.

Sipas tij, rënia e ndikimit të Perëndimit gëzon vende si Rusia, Turqia por edhe Kina e vendet e gadishullit arabik. Diplomatët e BE përpiqen që t’i dalin kundër kësaj retorike.

Status quo-ja e krijuar dhe pengesat në dukje të pakapërcyeshme, si mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit, problemet e pazgjidhura të Maqedonisë me Greqinë për shkak të emrit, apo mungesa e gatishmërisë së tre etnive në Bosnje për të rënë dakord mbi një reformë kushtetuese i shtyjnë ekspertët të flasin për dy opsione:

Qëndrimin përjetësisht në dhomën e pritjes së BE, ose shpresën e një kompromisi ku Brukseli të hapë derën, megjithëse kriteret nuk janë përmbushur.

“Deutsche Welle” përmend dhe një Plan Marshall për Ballkanin. Tani flitet për një union doganor dhe treg të përbashkët të 6 vendeve të rajonit, ndërsa para pak muajsh diskutohej edhe për një plan “Berlin Plus”, nisma gjermane që me paratë e BE-së të financohen projekte të mëdha në infrastrukturë.

Nuk dihet megjithatë se nga cilat burime të bllokut do të vijnë fondet, ndërsa ka dhe skeptikë si ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdan Darmanoviç, që thonë se asnjë model bashkëpunimi nuk duhet të çojë në ngadalësimin e politikës së zgjerimit apo të shërbejë si zëvendësim për këtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button