Dibra : “Idiot! Duhej të kishe shkruar më pak dhe të kishe jetuar më shumë”

Flasim përhanshëm me Ridvan Dibrën.

– Ç’lloje intervistash ju bezdisin më shumë?

– Të gjitha. Edhe kjo e juaja.

– Thonë se vetminë e keni shpikur ju?

– Vetminë time, po.

– Një shkrimtar në Shkodër ngjan me çka?

– Me shumëçka, përveçse me një shkrimtar shkodran.

– Personazh i cilit libër jeni?

– I të gjithë librave të mi, pa asnjë përjashtim.

– Irenë B. mendoni se do t’ju falënderonte dhe pranonte për demiurg?

– Dikur po. Tani jo.

– Kur janë njerëzit më të mirë?

– Sa janë pa mësuar përemrin vetor “Unë”.

– A ju ngjan qyteti në shpikje djalli?

– Jo vetëm Qyteti. Por dhe çdo Institucion tjetër që krijon e ngjesh turma.

– Për çka do ta kishit redaktuar Zotin?

– Ndoshta pse nuk na e vuri zemrën sipër, në vend të kokës.

– Mik i lig cili është?

– Ai që ta vret besimin te miqësia.

– A ka vërtetë Shkodra plot dashuri?

– Sidomos nëpër këngë.

– Ç’ka të mirë te harresa?

– Na ruan nga çmenduria.

– Çka nuk falni?

– Padrejtësitë që mund t’i bëhen tim Biri, Erosit.

– Po ta kishit Shqipërinë në dorë për 24 orë si kryeministër ç’do të bënit me urgjencë?

– Do jepja dorëheqjen.

– Cili politikan të bën të shash, fyesh, e të mbyllesh në dhomë?

– Asnjëri. Nuk i marr seriozisht.

– Ju pëlqen t’ju gënjejnë bukur?

– Sidomos kur e bëjnë kritikët e studiuesit letrarë.

– Cila poezi i ka çmendur vajzat kur ua keni recituar në të ritë?

– Asnjëra. Po të kisha guxuar, do vazhdoja të isha beqar.

– Cila kohë është e juaja?

– Edhe mesnata.

– Nëse do t’ju ofronin t’ju presin ndonjë shirit kohor nga kujtesa cilën periudhe do ta zgjidhnit?

– Ndoshta, njërën prej periudhave më të vështira të jetës sime: vitet 1982 – 1988, kur qeshë mësues në një fshat të thellë malor në rrethin e Kukësit.

– Çka ju mundon më së shumti?

– Pagjumësia netëve.

– Cili është budallallëku më i madh që keni bërë ndonjëherë?

– Ndoshta – ndoshta, kjo intervistë me ju.

– A e dinë të tjerët se ju jeni gjeni?

– Nuk e besoj. Presin që të bindem edhe unë vetë.

– Ç’do t’i kishit thënë lexuesit të nesërm?

– T’i zbulojë vetë autorët dhe librat e zemrës. Mos t’u besojë aq fort kritikëve e akademikëve, çmimeve e bujës mediatike.

– Ç’keni të përbashkët me Franc Kafkën?

– Asgjë. Përjashto faktin që ndonjëherë, kur ma ka ngenë, kuvendojmë në distancë njëri me tjetrin.

– Ku është ngatërruar bota?

– Bota ka lindur e tillë. Dhe e tillë do të jetë përherë.  Problemi është që me punët e veprat tona mos t’ia shtojmë nyjat.

– Ah, pengjet …. I keni shumë?

– Pengjet? Në vjeshtën e moshës veçse bien e rrallohen, si gjethet.

– Nga i përzini njerëzit kur i nxirrni nga jeta?

– Nuk përzë njerëz! Ndoshta këtë e bën pa dashjen time letërsia ime.

– Si dashuroni?

– Plot hezitime. Gjithnjë dyshues se mos prania dhe natyra ime e ngatërruar më shumë se kënaqësi, dhuron probleme.

– Keni parë e dëgjuar sa romane shkruajnë të rinjtë, kush do t’i lexojë?

– Le të shkruajnë. Nuk është e thënë që çdo roman të lexohet nga dikush.

– Cilat janë tri fjalitë që do ta kishe bërë krejt njerëzimin t’i pëshpërisë brenda gjithë ditës si formë lutjeje?

– Mos urreni. Mos lakmoni.  Mos paragjykoni.

– Ju vjen keq që jeni njeri?

– Edhe ndodh ndonjëherë. Sidomos kur banaliteti dhe mungesa e ndjeshmërisë, injoranca e ligësia përballë meje, m’i ndryshkin të gjitha armët që zotëroj.

– Ç’ju bën për të qeshur më shpesh?

– Kritikat dhe gjykimet që i bëhen veprës sime letrare.

– A rrnohet veç për me tregue?

– Natyrisht që jo. Rrnohet veç për me dashurue.

– Çka është më e keqe se një grua e keqe?

– Ndoshta një grua në karrierë.

– Ku i merrni personazhet dhe si i ndërtoni?

– Te vetja ime, i kam krejt afër dhe me bollëk.

– Një grua e jashtëzakonshme ç’emër do kishte? A e njihni?

– E njoh këtë grua dhe asht ime shoqe. Nuk asht aspak e lehtë të durohet kaq gjatë dhe kaq bukur një fëmijë gjithnjë i parritur.

– E folura , apo dëgjimi ju rrëmbejnë më shpesh?

– Asnjëra dhe as tjetri. Mbetem rob i leximeve.

– Kush jeni ju?

– Nuk e di tamam. Sapo ta mësoj, do të rresht së shkruari.

– Nëse do ta takonit veten një ditë ç’do t’i thoshit?

– Idiot! Duhej të kishe shkruar më pak dhe të kishe jetuar më shumë.

– E shkuara, ç’ka t’i bëjmë asaj?

– Ta lëmë të mbetet e tillë, domethënë e shkuar.

– Është e bukur jeta, megjithatë apo?

– Jeta asht aq e plotë, sa që nuk i duron epitetet.

– Faleminderit!

Autor: Xhemazije Rizvani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button