Shkup, 30 nëna morën certifikata për reagim të shpejtë ndaj shenjave të hershme të radikalizmit

Sot në hapësirat e komunës së Çairit u mbajt ceremonia diplomuese për t’i nderuar nënat pjesëmarrëse në programin “Shkollat për Nëna: Prindërit për Paqe” të cilat kanë demonstruar përkushtim të vërtetë për t’i ruajtur familjet dhe komunitetet e tyre nga radikalizimi. Rreth 30 nënave iu dhanë certifikata për përfundimin e suksesshëm të trajnimit 10 javësh, duke i pajisur ato me dije dhe mjete për njohje dhe reagim të shpejtë ndaj shenjave të hershme të radikalizmit, njofton Portalb.mk.

Ceremonia diplomuese u hap me fjalimin e zonjës Edith Shlaffer, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Gratë pa Kufij”, ajo theksoi se organizata e tyre mundohet t’i ndihmojë të gjithë nënat në nivel lokal dhe ndërkombëtar për të parandaluar ekstremizmin.

Edit Schlaffer
Edit Schlaffer

“Gratë nëpër tërë botën mundohen t’i mbrojnë fëmijët nga zënkat e tyre, sepse nëse i ruajmë ata ne i ruajmë edhe fëmijët edhe shoqëritë, këtë mund ta bëjnë nënat sepse janë linja e parë e kontaktit me fëmijët, por kjo nuk mjafton, ne duhet t’ju sigurojmë grave shkathtësi që të mund të jenë vigjilente, efektive si dhe me vetëbesimin e plotë se ata mund të bëjnë ndryshime. Duhet të sfidojmë shënjestrat e ekstremizmit. Kemi filluar me shkollën e nënave nëpër disa vende botërore dhe evropiane.” tha Edit Schlaffer.

Pastaj fjalim mbajti edhe Micaela Schweitzer Bluhm – zëvendës- udhëheqëse e misionit – Ambasada e SHBA-së në Maqedoni e cila theksoi menyrat se si duhet të gjendet balanci se si të edukohen, mësohen dhe të bëhen të pavarur fëmijët.

Micaela Schweitzer  Bluhm
Micaela Schweitzer Bluhm

“Unë kam tre fëmijë dhe siguria e tyre për mua është shumë e rëndësishme. Ashtu si ritën ata, ne duhet të kërkojmë mënyra se si të gjejmë balanc që t’i edukojmë, mësojmë që të bëhen të pavarur dhe më të fuqishëm. Kjo sfidë e mbrojtës por edhe lënia të zhvillohen vetë tani është bërë shumë e vështirë për shkak të faktorëve të jashtëm edhe për rreziqet e padukshme që vinë nga jashtë. Bandat gjithmonë kanë qenë një rrezik që i kanë tërheq fëmijët nëpër rrugë të keqe, por rreziku që vjen nga grupet ekstremiste është diçka përtej dhe e bën diçka tjetër nga grupet e këqija. Fëmijët tanë tani nuk rrezikohen të përjashtohen nga shkolla se kanë vjedhur diçka, ata tani rrezikohen nga vdekja. Ju u ballafaquat me këtë problem dhe u mësuat që ekstremizmit mund t’i largoheni nëpërmjet bisedave të ndershme. Edhe prindërit kanë nevojë për mbështetje prandaj ekzistojnë këto shkolla”, tha Micaela Schweitzer Bluhm.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti e përshëndeti këtë iniciativë dhe tha se sipas bindjes së kahmotshme nëna është e para që i vëren ndryshimet te fëmija, por ajo duhet të gjejë edhe mënyrën e përshtatshme si të reagojë në raste të tilla.

Izet Mexhiti
Izet Mexhiti

“Bota në të cilën jetojmë është duke u ballafaquar me sfida shumë të mëdha. Dinamika e jetës dhe shpërndarja masovike e informacioneve ka bërë që edhe shoqëria jonë të mos jetë imune ndaj fenomeneve me pasoja shumë të rënda si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Po që se nisemi nga bindja tradicionale se thelbi i shoqërisë është familja mendoj dhe them se është shumë e qëlluar që me nënat të ndërtohet një punëtori e këtillë, sepse sipas bindjes së kahmotshme nëna është e para që i vëren ndryshimet te fëmija, por ajo duhet të gjejë edhe mënyrën e përshtatshme si të reagojë në raste të tilla”, tha Izet Mexhiti.

Më pas vijoi një panel diskutimi me trajnueset dhe dy nëna pjesëmarrëse në këtë projekt të cilat ndanë përvojat dhe përshtypjet e tyre gjate realizimit të sesioneve trajnuese.

Projekti i organizatës “Gratë pa Kufij” u implementua nga nëntori 2016 deri më korrik 2017 i titulluar “Shkollat për Nëna: Prindërit për Paqe “. Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte të rrisë ndërgjegjen te prindërit posaçërisht tek nënat për të luftuar radikalizmin dhe esktremizmin e dhunshëm. Të ngrisë aftësitë e nënave në Maqedoni se si ti qasen fenomenit të radikalizimit dhe se si të sillen ndaj fëmijëve të tyre në raste kur  dyshojnë që fëmijët e tyre mund të jenë prekur nga kjo dukuri.

Në kornizë të këtij projekti janë mbajtur trajnime për 10 javë me rradhë, të ndara në dy grupe prej 15 nënave ku ligjëratat u zhvilluan në dy gjuhë, respektivisht në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase. Sesionet trajnuese “Shkollat për Nëna” u realizuan nga katër edukatore paraprakisht të trajnuara nga organizata “Gratë pa Kufij” (Women without borders) e Austrisë dhe të gjitha edukatoret e përzgjedhura vijnë me një përvojë pune të pasur në lëmine e arsimit, edukimit dhe psikologjisë.

Temat e trajtuara gjatë javëve të trajnimit përfshinë tema të tilla sikur: roli i nënës në familje dhe shoqëri, se si nëna mund të ketë ndikim në siguri dhe se si të kyçen në mënyrë aktive të kontribuojnë në çështjet e sigurisë. Pjesa tjetër e trajnimeve iu dedikua ngritjes së vetëdijes tek nënat se si më mire të kuptojnë procesin e zhvillimit të mendimeve tek më të rinjtë, kuptimin e radikalizmit si fenomen, çfarë e shtyen një të ri në atë rruge, dhe si ti njohin shenjat e hershme të radikalizmit tek fëmijët e tyre dhe se çfarë masa parandaluese mund të ndërmarrin si prindër.

Nënat pjesëmarrëse në sesionet trajnuese “Shkollat për Nëna” ishin nëna të cilat veçse kanë vërejtur shenja të para të radikalizmit tek fëmijët e tyre, si dhe nëna të brengosura dhe të interesuara të mësojnë diç më tepër rreth kësaj teme. “Shkollat për Nëna” shërbyen si një vend i sigurt për nënat që të ndajnë përvojat e tyre personale mes tyre njëkohësisht duke shërbyer si një mjet shtesë mësimi ku nënat mund të mësonin nga përvoja konkrete nga vendi.

Të gjitha sesionet trajnuese “Shkollat për Nëna” u mbajtën në hapësirat e komunës së Çairit e cila gjatë gjithë fazës implementuese të projektit dha mbështetje logjistike të pakursyeshme.

Për në fund, sesionet trajnuese “Shkollat për Nëna” synuan ti pajisin nënat me aftësi dhe njohuri praktike të cilat do të mund ti përdorin pas mbarimit të kësaj shkolle. Modeli kundërvënës i cili iu mësua nënave, ato do të mund ta përdorin edhe në të ardhmen për të demistifikuar kërcënimet dhe ti angazhojnë familjet posaçërisht edhe baballarët që të jenë më vigjilentë dhe bashkërisht të mobilizohen kundër kërcënimit të radikalizmit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button