Bashkëngjituni aksionit për pastrimin e Matkës: NË XHEP, nëse s’ka ku tjetër!

Një grup të rinjsh, të organizuar nga Lëvizja për Edukim dhe Avancim të Dialogut LEAD, do të realizojë një aksion për pastrimin e mbeturinave në Matkë, me moton “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër!”. Aksioni do të mbahet sot, ndërsa vendtakimi është te stacioni i fundit i autobusit 60, në ora 17.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të Shkupit të na bashkëngjiten në këtë aksion. Disa grupe formale dhe joformale, si dhe individë, veç më kanë paralajmëruar se do të jenë pjesë e aksionit.” apelojnë nga LEAD.

Ky do të jetë aksioni i dytë nga shtatë aksionet e planifikuara për pastrimin e pjesëve të ndryshme të Shkupit dhe rrethinës, në shtatë muajt e ardhshëm.

Ky është aksioni i dytë i fazës së dytë të Projektit “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër!”. Faza e parë u realizua në Vodno, gjatë vitit të kaluar.

Krahas pastrimit të këtij lokacioni, aksioni ka për qëllim edhe ta ngrejë vetëdijen publike te qytetarët për ruajtjen e mjedisit jetësor. Për këtë qëllim, grupi i aktivistëve do të mbajë bluza me sloganin “NË XHEP, nëse s’ka ku  tjetër!”. Gjithashtu, aksioni u mundëson të rinjve të bashkësive të ndryshme etnike të punojnë së bashku dhe të shoqërohen.

Projekti “NË XHEP, nëse s’ka ku tjetër!” Përkrahet nga Programi Civica Mobilitas, të cilin e zbatojnë NIRAS nga Danimarka, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Instituti Suedez për Administratë Publike SIPU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button