“Kërkesat ndaj Katarit në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”

Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheik Muhammed bin Abdurrahman Al Thani, tha se kërkesat e shteteve që kanë vendosur embargo ndaj Katarit janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke e cilësuar si “akt agresiv dhe fyerje e një shteti të pavarur dhe sovran” embargon ndaj shtetit të tij nga fqinjët e Gjirit. Në një intervistë për CNN International, Al Thani potencoi se shteti i tij nuk do të pranojë asnjë kërkesë që shkel të drejtën ndërkombëtare.

Ai ka tërhequr vëmendjen se shtetet që akuzojnë Katarin për lidhje të veçanta me Iranin në fakt deri më tani nuk kanë zbatuar asnjë masë kundër Iranit. “Për këtë arsye, masat kundër Katarit janë akte agresive. Embargoja ndaj Katarit është akt agresiv dhe fyerje ndaj një shteti të pavarur dhe sovran. Këto masa u ndërmorën për arsye të tjera e jo për shkak të Iranit. Nuk diskutohet mbyllja e Al Jazeeras, e as që do të diskutohet për çfarëdo kërkese që dëmton sovranitetin e Katarit”, tha Al Thani.

Shefi i diplomacisë së Katarit i përgënjeshtroi akuzat se Katari financon terrorizmin, duke thënë se kushdo që përfshihet në financim terrori apo vetë akte terroriste, ai do të japë përgjegjësi. “Ka shumë raste individuale në të cilat janë gjykuar fajtorë”, shtoi ai. Ai vuri në dukje se Katari nuk do të klasifikojë asnjë organizatë si “terroriste” përderisa nuk cilësohet si e tillë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, lidhur me faktin që disa emra të Hamasit gjenden në Katar krahas asaj që shtete si SHBA-të dhe Izraeli e kanë vendosur Hamasin në “listën terroriste”, Al Thani tha: “Hamasi ka byro politike në Katar, e jo përfaqësi në nivel ushtarak. Zyrtarët e lartë të Hamasit gjenden në Gaza, e disa të tjerë në Katar. Këta persona kanë ardhur për të marrë pjesë në negociatat për pajtim kombëtar, në të cilat Katari është ndërmjetësues. Këto negociata, të cilat mbështeten edhe nga komuniteti ndërkombëtar, u realizuan në koordinim me SHBA-të. Mbështetja e Katarit është për popullin e Gazës dhe jo për Hamasin”. Al Thani shtoi se nuk e cilësojnë si organizatë terroriste Vëllazërinë Muslimane dhe se oganizata nuk ka prezencë në Katar, duke rikujtuar se Vëllazëria Muslimane është organizatë politike.

“Vëllazëria Muslimane zhvillon aktivitete në disa vende. Në mesin e këtyre vendeve është edhe Bahreini, një nga shtetet që ka vendosur embargo ndaj Katarit. Ky është standard i dyfishtë. Teksa në njërën anë kërkohet cilësimi i Vëllazërisë Muslimane si organizatë terroriste, nga ana tjetër në Parlamentin e Bahreinit, një nga shtetet që kërkon këtë gjë, ka persona që janë pjesëtarë të Vëllazërisë Muslimane”, tha Al Thani. Lidhur me marrëdhëniet mes Katarit dhe SHBA-ve, Al Thani theksoi se mes tyre ka marrëdhënie shumë të fuqishme dhe se Uashingtoni zyrtar është duke dhënë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën.

Duke folur për shkaqet e mundshme prapa krizës, Al Thani tha se “në mesin e shkaqeve që qëndrojnë prapa krizës mund të jenë pavarësia dhe politika e shtetit të Katarit, politikë kjo e cila sipas tij gjithnjë ka qenë e pavarur, por e cila asnjëherë nuk ka ndikuar në sigurinë kolektive të vendeve të Gjirit. “Shtetet e mëdha mund të shqetësohen nga ndikimi i mundshëm i shteteve të vogla në rolin e tyre. Megjithatë, Katari nuk e ka bërë një gjë të tillë, por ka përdorur mekanizmat ndërkombëtar për të bashkuar popujt dhe për të siguruar paqen në botë”, tha Al Thani, duke shtuar se nuk duan të shkaktojnë luftë në botë, porse përpiqen për të gjetur zgjidhje në mënyrë diplomatike për problemet.

Arabia Saudite, EBA-të, Egjipti, Bahreini dhe Jemeni më 5 qershor deklaruan ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin të cilin e akuzojnë për destabilizim të rajonit dhe mbyllën hapësirën ajrore për Katarin, si dhe urdhëruan të gjithë diplomatët e Katarit të lëshojnë vendet në fjalë në afat prej 48 orësh.  Shtetet në fjalë i dërguan qeverisë së Dohas listë të kërkesave prej 13 pikash, ku në mes tjerash kërkohet mbyllja e bazës ushtarake të Turqisë në Katar, ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin dhe mbyllja e televizionit Al Jazeera, të cilën Doha zyrtare e refuzoi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button