Thaçi: Përgjegjësia kushtetuese e udhëheqjes së dialogut është e imja

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për dialogun me Serbinë, duke thënë se pas pesë vjetësh të dialogut teknik dhe arritjes së disa marrëveshjeve të rëndësishme dhe zbatimit të disa prej tyre, ka ardhur koha që ky proces të shkojë drejt përmbylljes.

Ai tha se faza e re e dialogut nënkupton përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje të gjerë politike.

“Ne kemi menduar, në konsultim me Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, që ky proces të avancohet në një nivel më të lartë politik, që çon drejt një normaliteti të marrëdhënieve tona por edhe të pajtimit të shteteve dhe popujve tanë”, tha Thaçi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo fazë e re nënkupton përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje të gjerë politike, një marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe një marrëveshje që do të hapë sigurt perspektivën euro-atlantike të Kosovës, që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së”, thotë Thaçi.

I pyetur se nëse ai do të udhëheq dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi tha se “natyrisht, në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, Presidenti i vendit udhëheq dhe koordinon politikën e jashtme”. Thaçi shtoi po ashtu se pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës, do të formohet një ekip i gjerë, ku do të përfshihen edhe bartës të institucioneve, njerëz nga shoqëria civile dhe mediat, të cilët do të përbëjnë një ekip, që do të udhëheq këtë fazë të dialogut.

Ndonëse thotë se faza e re e dialogut do të jetë përmbyllës, Thaçi thotë se nuk dëshiron të paragjykojë, që kjo fazë do të mbyllet me njohje reciproke.

“Unë nuk dëshiroj të prejudikoj, por jam i sigurt se Kosova do të afirmohet në një stad të ri ndërkombëtar”, thotë Thaçi.

Duke iu përgjigjur kritikave nga disa subjekte politike për marrjen e primatit në dialogun me Serbinë, Thaçi tha se ka përgjegjësi kushtetuese që të udhëheqë politikën e jashtme të Kosovës. Përkundrazi, sipas tij, do të ishte papërgjegjësi, nëse ai nuk do ta luante këtë rol.

“Në këtë fazë të re të dialogut do të ketë hapësirë për të gjithë, për të gjithë bartësit e institucioneve, Qeverinë, Kuvendin, partitë politike opozitare, shoqëria civile, mediat, opinionistët e ndryshëm dhe të gjithë ata që duan ta japin kontributin e tyre”, tha Thaçi. Sipas tij, kjo fazë do të jetë më e shkurtër sesa që mendohet.

“Nuk mendoj se duhet të kalojnë vite duke negociuar”, tha Presidenti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button