NË QYTETIN E VDEKUR 2

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

NË QYTETIN E VDEKUR 2
Vazhdimi II (nga java e kaluar)

4.
Kufiri do të thotë fqinjësi, ndërsa çdo fqinj i mirë dëshiron ta zgjasë kokën e ta hedhë një shikim në shtëpinë e huaj. Në mos për tjetër, atëherë sa për të marrë nëpër gojë: çka kishte për drekë dhe sa zgjati zënka me gruan. Me gjuhën e zyrës kësaj pune i thonë shërbim informativ. Një komandant ka treqind punë të tjera: vërejtje për shërbimin e luftës dhe për rregullat e ekzerci (ushtrime kolektive ushtarake), për disiplinën, për stërvitjet, për furnizimin, për gjërat personale, për hetimet lidhur me vjedhjet e ndryshme, për armatimin, municionin, për raportet shoqërore, për shifrat dhe për të gjitha takravatet e marifetet tjera të vendosura që kur është themeluar ushtria e parë. Dhe pastaj  mbetet vend edhe për një raport javor si është puna “matanë”. Në polici, e njejta punë. E për këtë arsye merren “njerëz të besueshëm” të cilët kinse dinë çdo gjë se çka ndodh në kojshi. Ata gëzojnë nder të veçantë dhe rëndomë për ta porositet kafe kur vijnë të sjellin raporte.
– Ordinancë!  Bjere një kafe për Teufikun!
– Bereqat versën! sikur mërehet e shtiret se nuk i pihet “njeriu ynë i besueshëm” dhe i shikon majat e çizmeve të tij të reja.
– E, e.. si… rri… Po a pa kafe muhabet, a? Çka ka të re në çarshi?
– S’ka gjë… U takova me myftiun… “Shyqyr Zotit”, më tha. “Po përgaditem për zijafet…”
– Çfarë zijafeti?
– Te ti, thotë. Për shkak të provimit për gjeneral.
– Aha, po, ha-ha-ha, qesh me kënaqësi personi zyrtar. Po e kam dhënë provimin… Po si është myftiu?
– Ai digjet pas këtij shteti.
– Prej kah e di ti?
– Po ai flet kështu. “Unë”, tha, “shumë e dua këtë shtet”. Po si të mos e dojë? Rrogë merr tre mijë e pesëqind në muaj, e vetëm se pi “kaçak”, tjera shpenzime nuk ka.
– Po, po, luhatet komandanti në karrikë. Të gjithë ne duhet ta duam këtë shtet. Pastaj e zhvillon teorinë se ky është atdheu ynë, pa marrë parasysh se cilës do fe e cilës do kombësi i takojmë [2]. – Po matanë çka ka të re?… Si është puna?…
– Paj… E di edhe vetë… fukarallëk. Ushtarë pa veshë e pa mbathë. Qeveria nuk merr rrogë… Shumë keq.
– A ka farë agjitacioni për Tosun Beun?
– Jo, besa. Populli nuk e do. Paria ka lidhur besën: më parë kokat tona, pastaj Tosun Beu. Hajn është Tosun Beu [3].
Dhe personi zyrtar shifron: “I besuari ynë nr. 216 lajmëron: Me gjithë skamën financiare dhe me gjithë furnizimin e keq të ushtrisë i gjithë populli matanë kufirit [4] është kundër ish kryeministrit Tosun Beut. Paria ka sjellë vendim që me çmimin e kokave të veta mos ta lejojnë kthimin e tij. Lidhja raportet e mia të mëparshme nr….”
“I besuari e piu kafenë dhe shkoi të pijë çaj me myftiun.
E kur dje e takova Teufikun dhe e pyeta e njihemei me të nja pesë vjetë:
– Pashë zotin tregomë çfarë njeriu është ai farë miku që e ke (mendoja për komandantin).
– ?ovek šum mir (mnogo dobar), ama nije mervešt (pametan) [5].

5.
Ka një kohë të mirë, besa shumë ditë u bënë, që unë jam këtu, kurse njerëzit e bëjnë muhabetin tim, çka kërkoj vallë që kam ardhur përsëri e po rri kaq shumë. Më në fund erdhën në përfundim se kisha ardhur për t’u kandiduar. U bë disi që sërish brenda njëqind vjetëve partia ime të vijë në pushtet. (Dhe mbeti, Zotit i qofshim falë, tre muaj të plotë). Pra nisa ta përgadis terrenin për vete. Dhe sa u verifikua kjo, ja ku po vjen myftiu te unë.
– Të kërkova, të kërkova, nuk të gjeta…
– Shyqyr që më gjete, i përgjigjem unë. Po edhe qyteti është i madh…
– E, he, he qesh me djallëzi. Po për këtë zgjedhjen tënde mos u mërzit: mbarë qyteti e rrethi janë për tyr. Po dil pakëz në Strugë. Me miq e me çarshi merr “tunijatijeta”. (Me miq e me çarshi ndërroje ndonjë tungjatjeta).
– Po, po, do të shkoj. Po e pres vetëm automobilin e do të shkoj. Po a mendon se do të fitojmë nëse ka zgjedhje?
– A, me siguri. Ti e di fort mirë.
Pas tri ditësh kur ra qeveria, myftiu shkoi në taborrin partiak kundërshtar (ai zyrtarisht tashmë një vjet merrte pjesë atje). Madje u bë kandidat për deputet për dy rrethe.

           6.

Ka rënë borë dhe të gjitha malet janë veshur me petka të bardha solemne. Shkëlqejnë majat dhe fryma e freskët valëzon përmbi Drinin e Zi. Njerëzit hasin gjurmë derrash të egër dhe sjellin lëkura shqarthash, kurse afër qytetit dëgjohen ulërima ujqish.
Qyteti edhe më shumë tërhiqet në vete. Njerëzit shpejt e pinë rakinë nëpër kafenetë e vogla, e ikin në shtëpi. Që në orën pesë të gjitha dyqanet janë të mbyllura. Jeta zhvillohet atje prapa mureve të larta që i rrethojnë kurtet. Kurse jashtë është qetësi, terr, acar, shkreti. Edhe rrugëve, edhe grykave, edhe në shpirt. Darka shtrohet herët në hotel, e tavolinat i afrohen stufës. Gjithmonë oficerët e nëpunësit e njëjtë beqarë, gjithmonë djemtë e njëjtë Qerimi e Steva. Me të njëjtën këngë e nis këngëtarja Bosa koncertin e vet të natës: “Ah dori, o kalë i mirë…” Dhe gjithmonë pas kësaj vjen duartrokitja sikur të jetë kënduar për herë të parë. Po të mos bëjë zhurmë doganieri sikur t’u grahë dhive nëpër Shekullar, mbrëmja do të ishte shumë e mirë.
Se edhe këto këngëtare Bosa e Sonja, siç ia patëm vënë emrin, i kanë pasur katastrofat e veta personale në jetë para se të mësohen ta shtrijnë tabakanë për shpërblim. Kjo e dyta është gjermane, një bionde me një histori të dhembshme jetësore të gruas së lënë dhe të dëshpëruar. E imtë, e natyrshme, me një buzëqeshje naive. E të gjithë, dihet, kanë mbetur të fyer në jetë dhe nga jeta, të harruar në kufi, me lutje të pashpresa për zhvendosje diku tjetër. Dhe kështu gjithçka këtu e mbulon mallëngjimi i cili e krijon një harmoni të ndërsjellë midis njerëzve: edhe zëri i lehtë i Sonjës dhe kujtimi për ditët e humbura dhe rininë e djegur kot dhe kënga për fushta me borë të Sibirit.
… Sonjë, moj Sonjë! Koha po kalon…
Po megjithatë sot duket se dita kaloi padiktueshëm me gjithë ngjarjet e rëndësishme. Koha ka lënë prapa vetëm dhembjen për atë që nuk kthehet më. Për të bukurën që shihet prej largësive. Për aq ngashërime të paarritshme, për luftërat pa klithma ngadhnjimtare, për hallet pa përfundime tragjike. Edhe dhembja për kaçurrelat që u valëvitën për një çast dhe u tretën nëpër mjegullën e harresës. Si frymë pranvere kanë kaluar pranë nesh. 
… Sonjë moj… Sonjë… dëgjomi klithmat dhe vajin e zemrës sime…

(Vazhdon javën e ardhshme)

_______________________________________________________________________________
[2]Floskula që i përsërisin vazhdimisht oratorët e ideologjisë pansllaviste e bizantine, prej themelimit të shteteve fqinje të shqiptarëve[3]Vini re: edhe sot te ne politikanëve tonë iu ngjiten etiketat e njëjta[4] Vazhdimisht autorët serbë, ku kanë mundësi, i ikin përdorimit të emrit Shqipëri [5] Njeri i mirë mjaft, po s’merr vesh shumë (nga politika, ndoshta) 

LEXO PJESËN PARAPRAKE: NË QYTETIN E VDEKUR

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button