PTHP ia dorëzon “Sopotin” Prokurorisë Speciale

Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP) ia ka dorëzuar lëndën “Sopot” Prokurorisë Speciale Publike (PSP), njofton Portalb.mk.

Nga Prokuroria sqarojnë se edhe pse kanë vlerësuar se PSP nuk është kompetente për këtë rast, megjithatë ata kanë vendosur që t’ia japin lëndën, pasi që Këshilli i Prokurorëve u ka dhënë kompetence që vetë ata të vendosin në lidhje me atë se ta dorëzojnë ose jo lëndën.

Ndryshe, më 4 nëntor të vitit 2016, PSP e kërkoi nga (PTHP) lëndën të njohur në opinion si “Sopoti”. Lënda është e kërkuar me qëllim që të vendosim për këtë lëndë që a bie nën kompetencat e Prokurorisë Speciale, duke e pasur parasysh se është publikuar përgjim nga ndjekja e komunikimeve të paligjshme.

Në procesin gjyqësor “Sopoti”, 11 shqiptarë u dënuan me 156 vite burg. Ata u shpallën fajtorë për vendosjen e një mine në vitin 2003, në fshatin Sopot të Kumanovës, ku mbetën të vrarë dy ushtarë polakë të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil. Edhe pse pas publikimit të dëshmisë për pafajësinë e banorëve të dënuar, ata në vitin 2010 u liruan nga burgu, ndërsa edhe sot e kësaj dite të akuzuarit për këtë rast janë duke u endur në gjykata.

Nga materialet e përgjuara të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur.

Në një bisedë tjetër telefonike dëgjohet se si deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga Gordana Jankullovska dhe prokurori Marko Zvërlevski paraburgim për bashkëqytetarët e tij në procesin gjyqësor “Sopoti”, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës. Dimovski kërkoi nga Jankullovska ta detyrojë Marko Zvërlevskin dhe të caktojnë burgim, pa e respektuar gjykatën dhe prezumimin e pafajësisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button