Dimitrov zbuloi planin e Maqedonisë për integrim në strukturat euro-atlantike

Maqedonia në politikën e jashtme të saj udhëhiqet me raportin e Komisionit Evropian i cili parasheh reforma në katër shtylla të shtetit edhe atë: realizimin e Marrëveshjes së Përzhinos, sundimin e së drejtës, pavarësi e institucioneve dhe përkushtim dhe ndershmëri në zhvillimin e politikës së brendshme. Këtë e bëri të ditur sot ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov gjatë publikimit të raportit për politikë të jashtme në seancën e dytë të Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

“Politika e jashtme ka nisur nga pozicione fillestare, realizimin e raportit të Komisionit Evropian në të cilin kërkohet realizim të plotë të Marrëveshjes së Përzhinos, sundimi i së drejtës, formim të institucioneve të pavarura, tejkalimit të dallimeve për çështjen e emrit, realizim i të drejtave të njeriut, realizimi i Marrëveshjes së Ohrit si dhe formimi i rregullatorëve medial të pavarur”, tha Dimitrov.

Ai tregoi se ekzistojnë katër shtylla ku është fukusuar puna dhe zhvillimi i politikës së jashtme, e para ka të bëjë me përkushtimin dhe ndershmërinë në punët e brendshme, e dyta ka të bëj me krijimin e fqinjësisë së mirë dhe formimin e urave në raportet ndërfqinjësore dhe më pas rritja e numrit të fqinjëve,  kjo ngaqë siç u shpreh Dimitrov, nëse në vitin 2012 numri i shteteve fqinje ishte në 16 tash ai numër ka arritur në 10.

“E rëndësisë së politikës së jashtme është edhe ecja në rrugën euro-integruese e jo stagnim si deri më sot”, tha Dimitrov.

Ai vlerësoi se Maqedonia gjendet në një tren që ecën drejt Bashkimit Evropian, nuk dihet se ku do të ndalemi e ku do të arrijmë, dhe në çfarë BE-je do të hyjmë.

Që të realizohen të gjitha këto, Dimitrov kërkoi konsensus ndërmjet pozitës dhe opozitës, për të cilën gjë, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski reagoi duke thënë se “për çfarë konsensusi flitni ju kur ju larguat të gjithë ambasadorët e Maqedonisë nga pozitat e tyre. Nëse doni konsensus ambasadat duhet të përfaqësohen edhe nga pjesëtar të opozitës”.

Ndaj këtij raporti të punës së Nikolla Dimitrov ka reaguar edhe ish ministri i jashtëm i Maqedonisë tash deputet i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Poposki duke kërkuar hapa konkrete për të gjitha këto të arritura të ministrisë së Jashtme të cilat qeveria e Maqedonisë i cilësoi si përparuese në kontekstin e zgjidhjes së emrit me Greqinë dhe integrimeve euro-atlantike.

“Kërkoj që me hapa konkrete të sqaroni se çfarë bëtë ju gjatë kësaj periudhe që nuk e ka bërë qeveria e kaluar. Pse duhet të besojmë se për një muaj u bë diçka që nuk u bë me dekada. Dua të më tregosh se cili është ai “detaj i vogël”, për shkak të së cilit nuk u realizua marrëveshja për fqinjësi të mirë ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, në takimin me kryeministrin Zoran Zaev dhe Bojko Borisov”, tha Popovski.

Për të përfunduar me këtë, anëtari i komisionit nga radhët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Tomisllav Tuntev vlerësoi se me rëndësi është që politika e jashtme të udhëhiqet në bazë të parimeve të përbashkëta, e jo dallimeve, sikurse bëri qeveria e kaluar.

“Qeveria e kaluar çështjen e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë e fokusoi në dallimet që kishin këto dy vende. Unë kërkoj që qeveria e re të fokusohet në çështjet e përbashkëta dhe që na afrojnë në zgjidhjen e këtij problemi”, tha Tuntev.

Ndërkaq, në lidhje me çështjen e emrit me Greqinë, Dimitrov bëri të ditur se bisedimet zhvillohen në bazë të marrëveshjes së arritur në vitin 1995 ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, ku kërkohet nga kjo e fundit të mos pengojë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit, Maqedonia tani dhjetë vjet nuk mund të anëtarësohet në NATO, ndërsa nuk mund të nisë as bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Greqia thotë se procesin e integrimit të Maqedonisë do ta bllokojë deri në ndërrimin e emrit të saj kushtetues, që është i ngjashëm me emrin e krahinës së saj veriore.

LEXO: Maqedoni, shqiptarët mund të jenë çelësi i zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button