Zyrtare: VMRO dhe BDI formuan qeverinë e re

Në një komunikatë të përbashkët të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE-së dy partitë njoftojnë se kanë rënë dakord për formimin e qeverisë së re.

Në vazhdim sjellim të plotë komunikatën e përbashkët të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

“VMRO-DPMNE dhe BDI si parti që fituan besimin e shumicës së qytetarëve, vendosën të formojnë shumicën e re parlamentare. 

Partitë, konform përcaktimeve programore dhe premtimeve të veta elektorale, vendosën që përparësi kryesore të veprimit të ardhshëm qeverisës, në periudhën që pason, të jenë integrimet euroatlantike si dhe zhvillimi ekonomik i vendit i shprehur përmes reformave dhe projekteve për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale, vendeve të reja të punës dhe investimeve. 

Prandaj, do të formohet edhe një grup i përbashkët me karakter pune nga të dy partitë për ndihmë, mbështetje dhe vlerësim të punës së qeverisë dhe ministrive dikasteriale të përfshira në procesin integrues euroatlantik. Dikasteret ekonomike në qeveri, këshilli dhe institucionet përkatëse qeveritare do të punojnë me dinamikë të sforcuar për realizmin e qëllimeve të përcaktuara ekonomike. 

Në periudhën që pason, konform postulateve programore dhe të përcaktuara, sidomos deri në samitin e NATO-s dhe Këshillit të Ministrave të BE-së, përfaqësuesit e këtij grupi të punës rregullisht do ti informojnë partitë për rezultatet e arritura dhe hapat e bërë, për masat dhe reformat e realizuara, në bazë të së cilës do të vendosen hapat e mëtejmë dhe veprimet e partive të cilat formojnë qeverinë. 

Grupet negociatore vazhdojnë të punojnë për harmonizimit e parimeve mbi të cilat do të funksionojnë partnerët në qeveri si dhe për ndarjen e resorëve. 

Partitë me rastin e arritjes së marrëveshjes për koalicionim patën parasysh para së gjithash interesin e qytetarëve për këto çështje si dhe kontekstin e kohës  dhe momentin në të cilin ndodhet Republika e Maqedonisë, rajoni dhe më gjerë.”, thuhet në komunikatë.     

Lajme të ngjashme

Back to top button