Tryezat

Tryeza shqiptare duhet të përbëhet nga 22 deputetët shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë dhe duhet të mbajë mbledhjet brenda Kuvendit

Tryeza në platformë. Formimi dhe funksionimi i një tryeze të përbashkët ishte një ndër pikat kryesore të deklaratës së partive shqiptare. Fatkeqësisht duket se askush nuk e ka idenë se ç‘është kjo tryezë e si duhet të funksionojë, madje as liderët që e kanë nënshkruar deklaratën. Si duket as ata nuk e kanë të qartë e të definuar se kush duhet të bëjë pjesë në tryezë, kush duhet t’a kryesojë, kush duhet ti inicojë mbledhjet, ku duhet të mbahen ato, apo në përgjithësi cila është poenta e saj. Ndryshe nuk ka si të interpretohet turpi që po na servojnë partitë me temën e tryezës, as është për t’u çuditur që ajo është shndërruar në lojë cirku me të cilën po qeshet çdokush, përveç politikanëve që shtirren sikur po e marrin seriozisht.

Duket sheshit pra se vetë partitë nuk dijnë ç‘po bëjnë me tryezën, madje po e shndërrojnë atë në monedhë përfitimesh politike. E pasi çështja shqiptare nuk është pronë ekskluzive e tyre, në vijim po marr të drejtën për të sugjeruar një koncept për funksionim praktik të tryezës, nëse tryeza veçmë duhet të bëhet. Propozimi bazohet te koncepti i “kaukuseve” të Kongresit Amerikan, që mendoj se mund dhe duhet të shërbejë si model për “tryezat” tona.

 

Kaukuset e Kongresit. Politika dhe Kongresi amerikan dominohen nga dy parti të mëdha, republikane dhe demokrate. Por këto parti nuk janë blloqe monolite; në të vërtetë ato janë struktura aq të larmishme saqë Kongresi në kuptimin politik më saktë përshkruhet si përbërje e 535 politikanëve krejtësisht unikë. Individë me prejardhje, bindje apo interesa të ndryshme mund të gjejmë në të dy partitë. Për shembull të dyja kanë kongresmenë zezakë, kongresmenë katolikë, femra, kongresmenë të preokupuar me tregtinë, me hapësirën e të tjera. Për çështje të caktuara këta kongresmenë rreshtohen bashkë si grupacion, pa marrë parasysh përkatësinë partiake. Popullatën zezake për shembull mund t’a tangojë ndonjë çështje specifike që ju intereson kongresmenëve zezakë republikanë e demokratë bashkë, por jo republikanëve e demokratëve tjerë.

Formati ku këto grupe funksionojnë bashkë, jashtë partive por brenda Kongresit, është “kaukusi”. “Kaukuset” pra janë forume ku mblidhen kongresmenë të interesuar për një çështje të caktuar, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake. Në Kongres ekzistojnë dhjetëra kaukuse të tilla, që quhen edhe konferenca, grupe studimi, grupe pune e të tjera. Për shembull ekziston Kaukusi i Zezakëve ku bëjnë pjesë të gjithë kongresmenët zezakë të Kongresit, pastaj Kaukusi i grave, Kaukusi automotiv, Kaukusi i lirisë, i kanabisit, i problemeve klimatike e shumë të tjerë. Madje ekziston edhe Kaukusi për çështje shqiptare i kryesuar nga senatorja republikane Xhoni Ernst dhe demokrati Geri Piters.

Ndryshe nga komisionet parlamentare, kaukuset janë grupe joformale që mund të formohen apo zhbëhen sipas interesimit të kongresmenëve. Pjesëmarrja në ta është krejtësisht vullnetare. Kongresmenët mund të dalin nga kaukuset kur të duan dhe deri diku t’iu bashkangjiten kur të duan. Një kongresmen mund të jetë anëtar i më tepër kaukuseve, varësisht nga bindjet dhe interesat e tij. Kaukuset kanë takime të rregullta, ku zakonisht diskutojnë dhe koordinojnë aktivitetet për avancim të qëllimeve të kaukusit. Nga kongresmenët normalisht pritet që të japin kontribut për çështjen e kaukusit të tyre dhe të bashkërendojnë votën për çështjen në fjalë, pa marrë parasysh se mund të jenë kundërshtarë për çështjet tjera.

 

Tryezat tona. Mënyra si funksionojnë kaukuset amerikane është tejet e përshtatshme për kopjim në parlamentin tonë. Deputetët e një partie nuk janë të njëjtë dhe gjithçka nuk duhet të shihet në vija partiake. Ka raste kur një deputet mund të gjejë diçka të përbashkët me deputetë të partive tjera, që nuk e ndan me kolegët e partisë së tij. Mu për këtë në parlamentin tonë duhet të funksionojnë “tryeza” të modeluara sipas kaukuseve amerikane. Në parlament pra duhet të ketë tryezë shqiptare, por edhe tryezë të femrave, të muslimanëve, sportistëve, ekologëve, e lloj-lloj tryezash tjera që mund të ju interesojnë deputetëve dhe elektoratit që ata përfaqësojnë.

 

Tryeza shqiptare. Në këto korniza duhet të definohet edhe tryeza shqiptare. Ajo pra duhet të funksionojë në kuadër të parlamentit, si pjesë e atij institucioni, e jo nëpër restorane e hotele. Në tryezën shqiptare duhet të marrin pjesë 22 deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë. Ata duhet të mbajnë mbledhje të rregullta, të dokumentuara, në ndonjërën nga sallat e parlamentit, ku do të bashkërendojnë veprimet e tyre për çështje që kanë të bëjnë me interesat shqiptare, siç është për shembull çështja e gjuhës.

Funksionimi i këtillë do të shmangte dy probleme që e bëjnë funksionimin e deritanishëm tejet joserioz. Së pari, me pjesëmarrje të gjithë deputetëve tryeza do të reflektojë drejtëpërdrejtë vullnetin e elektoratit shqiptar, sepse është e pakuptueshme që dikush të përfshihet e dikush të përjashtohet prej saj nisur vetëm nga tekat e liderëve partiakë. Çështja shqiptare nuk është çështje ekskluzive e liderëve, por është e gjithë votuesve shqiptarë, e ata përfaqësohen në mënyrë më direkte nga deputetët shqiptarë.

Së dyti, duke funksionuar brenda parlamentit tryeza shqiptare institucionalizohet. Kështu ajo bëhet atribut i parlamentit dhe merr peshë si diçka që bëhet hapur, në mënyrë transparente dhe legale, ashtu siç i ka hije parashtrimit të kërkesave shqiptare. Sepse kështu siç është sot, me takime nëpër hotele, pa rend dite dhe pa asnjë konkluzë konkrete, ajo më tepër duket si diçka që duhet fshehur, si akt ilegal e klandestin, apo në rastin më të mirë si shans për t’u fotografuar.

Prandaj vetëm një tryezë që do funksiononte siç është përshkruar më sipër, sipas modelit të kaukuseve amerikane, mund të jetë trup që do të kuptohet seriozisht dhe që realisht mund të arrijë ndonjë rezultat në avansimin e statusit të shqiptarëve.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button