Tetova 2017

Të nderuar lexues,

Kaloi edhe ky Ramazan bashkë me Festën e madhe të Fitër Bajramit. Zoti ua pranoftë agjërimin atyre që u bënë ballë këtyre ditëve të gjata e të nxehta pa bukë e ujë dhe me lutjet e tyre të sinqerta për një të ardhme më të mirë. Ajo që zakonisht pritet pas kësaj periudhe, është që ne të reflektojmë dhe të mundohemi të bartim më tej vlerat e këtyre ditëve të mëdha e të shenjta në fenë tonë. Kjo vlen edhe për udhëheqësit tanë, që me aq krenari e mburrje nguten të na i urojnë këto festa nëpër mediume të ndryshme. Po më të vlefshme se uratat e këtij lloji, do të ishin punët e tyre në kuadër të posteve dhe kompetencave që i kanë për t’ua mundësuar një jetë më të mirë (bashkë)qytetarëve të tyre nga të cilët edhe kanë marrë votat dhe mandatin.

Së këndejmi, desha t’u rikthehem disa çështjeve të vjetra që akoma po na rëndojnë në komunën tonë (Komunën e Tetovës).

E para, çështja e pastërtisë (për të cilën kam shkruar edhe herë të tjera). Me sa duket, në komunën tonë, organet kompetente po kryejnë punën e tyre vetëm në qendër të qytetit (në bulevardin kryesor që shpie deri te tregu i gjelbër) duke lënë mënjanë lagje të tëra në pjesët tjera të qytetit (shini fotot për më tepër). Më tragjikja është se pisllëku që e shihni në disa nga fotografitë më poshtë ndodhi një natë para Bajramit dhe gjatë ditës së Bajramit (meqë ishte e diel, dhe me sa duket, NPK-ja nuk punoka të dielave sepse është vikend (paramendoni çfarë luksi!)

dc

E dyta, çështja e parkimit të veturave në qytet, që siç duket qartë, nuk është zgjidhur as edhe në 30% e saj. D.m.th. janë disa rrugë kryesore në pjesën qendrore të qytetit ku parkingu është me pagesë, por kjo duhet të zgjerohet edhe në rrugët tjera përtej qendrës ashtu që të ketë një baraspeshë në grumbullimin e veturave dhe vendosjen e rendit edhe në ato zona. Ajo që është mjaft absurde në tërë këtë situatë tragjikomike, është që ata që parkojnë veturat në pjesët e shënuara si parking me pagesë dhe nuk e dërgojnë mesazhin sipas instruksioneve në tabelat informative, ndëshkohen nga kontrollorët (të cilët jo çdoherë e bëjnë si duhet punën e tyre), ndërkohë që të tjerët që parkohen në trotuare dhe pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve (duke bërë kundërvajtje edhe më të mëdha), kalojnë më kollaj. Keni parë ju kësi lloj menaxhimi të suksesshëm me parkingjet?

cc

E treta, uzurpimi edhe i atyre pak hapësirave të lira për këmbësorë, duke nisur me (siç e përmenda më lart) trotuaret dhe duke përfunduar me pjesën qendrore të qytetit (mu në shesh, ku tregtarë të vegjël veturash me telekomandë po i argëtojnë njerëzit (fëmijët) duke shkaktuar një kaos të vërtetë mu në atë pjesë ku dikush do të dëshironte të del për qejf, të ecë, apo edhe të ulet për të ngrënë një akullore a për të pirë një kafe. Duke qenë se tani qendra sportive po i afrohet përfundimit të punimeve, do të duhej që këto vetura të transferohen në atë pjesë për të mundësuar qarkullim të lirë të këmbësorëve në sheshin e qytetit.

vwevsdv

E katërta, ajo për të cilën edhe është bërë lajm disa herë, është çështja e deponisë së egër në hyrje të qytetit, që vazhdon të jetë burimi kryesor i të gjitha të këqijave në këtë qytet, dhe për të cilin veç premtohet e asgjë nuk realizohet.

E pesta dhe më e rëndësishmja – çështja e ujit të pijshëm në Tetovë: u dhanë shumë premtime, u bënë shumë fotografi poshtë e përpjetë Malit Sharr gjoja se problemi me ujin e pijshëm në Tetovë mori fund, ndërkaq kjo nuk është e vërtetë. Ujë vazhdon të mos ketë dhe kjo vërehet pikërisht tani, në këto ditë të nxehta vere kur gjithçka ka nevojë për ujë. Për të qenë fatkeqësia akoma më e madhe, njerëz të papërgjegjshëm pa fije turpi e konsiderate derdhin ujë në rrugë, lajnë hapësira publike përpara shitoreve të tyre dhe harxhojnë ujë pa karar në lavazhet rreth e përqark qytetit, ndërkohë që banorët luftojnë me mungesë uji në amvisëritë e tyre.

Të nderuar lexues, do të kisha dashur me gjithë qejf që një ditë të shkruaj për gjëra të bukura në qytetin tonë, për ngjarje të mëdha, për investime kapitale në sfera të ndryshme (përfshirë dhe turizmin), për mbrëmje letrare, për verë e vjeshta kulturore, por ama duke i pasur parasysh (po e them PARA SYSH me kuptimin e drejtë, fizik të fjalës) të këqijat me të cilat ne ballafaqohemi për çdo ditë të Zotit, vështirë se do t’i kujtohej dikujt të shkruajë për sende të ndritura, për të cilat ka kohë që vetëm se ëndërrojmë, ose edhe i përjetojmë ndonjëherë kur na bie puna të udhëtojmë jashtë shtetit, e të shohim vende si Zvicra, Austria apo Norvegjia.

Zoti i mbarësoftë dhe i drejtoftë udhëheqësit tanë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button