ZEHER

“Bota sot nuk përparon më thikë e pushkë, por me dije”.

Rexhep Voka

U bëmë zeher. Hidhëti e paparë apo tmerr në festë fetare. Në ditë bajrami, në ditë motmoti, në çaste të gëzimit, të pajtimit, të miqësimit, të festimit, pas agjërimit, sakrficave dhe atmosferës spirituale njëmuajëshe. Djallit sikur iu liruan prangat dhe na ndodhi ajo që ndodhi, katër kufoma në Gllumovë. Gjaku e bakllavaja e ngatërruan e u përfytën, në fakt kjo e dyta mbeti në tepsi e mbi tavolina, ashtu për e paprekur, për gjynaf. Ne edhe më tepër për gjynaf, të shashtisur, të shokuar, të rrëxuar përtoke, të vrarë në ditë bajrami, të gjithë. U bënë të pakuptimta rrobet e reja, të hekurosura, parqet e kositura, shtëpitë e rregulluara e të stolisura, e humbi domethënien edhe vizita, si të shtangur ecnim shtëpi në shtëpi, por pa vetëdije të plotë, pa kënaqësi, pa atmosferë bajrami…, pa… E hëna e gëzimit u shndërrua në të hënën e pikëllimit. Bajrami doli prej të qenit bajram.

Fjala e përdorur në këtë titull, pra zeher është e huazuar nga osmanishtja (zehir), ku ka arritur nga persishtja, pehlevishtja dhe partishtja dhe nënkupton një lëndë apo materie që kur futet në trup, me ndikimin e vet kimik prish funksionet fiziologjike dhe mund të mbysë qenie të gjalla. Dhe kuptimi i dytë, shqetësim e dëshpërim i madh, dhembje, qeder, ankth. Të gjitha këto i përjetuam në ditën e bajramit të madh apo të fitër bajramit në një fshat të Shkupit që mbshtolli në të zezë gjithë myslimanët shqiptarë, të gjithë shqiptarët. Kudo që shkoje dëgjoje vetëm trishtim, atmosferë të ftohtë, pa shije festive, thyerje gishtërinjsh, mallëngjim, dëshpërim maksimal. Dushmani mos e paftë e as përjetoftë. Vëllavrasja dhe hakmarrja një kancer tradicional, ekzekutimet brendafamiljare, një sëmundje e re brenda trungut tonë. Dhe të nesërmen, rasti i Durrësit…

Dhe çdokush me mend në kokë analizon. Pse të na ndodhin gjëra të këtilla? Ku qëndron problemi? Krenohemi që jemi myslimanë apo jo. Lajmë gjynahet në ramazan, punojmë një muaj për të kremtuar dhe e tërë kjo përmbyllet me një tragjedi. Dasëm dhe funeral. Si erdhëm, në fakt si ramë në këtë derexhe? Ç’po ngjan me ne? Cilët janë faktorët që shpien në kësifarë tmerresh gjithkombëtare? Në fakt, çështja mund të lidhet me psikologji e psikiatri por edhe me sociologji. Shkëputja e raporteve familjare, që fetarisht konsiderohet gjë e papëlqyer, hapja permanente e hendekut mes njerëzve shkakton ndjesi destruktive, urrejtje, pezëm, që një ditë shpërthen si një gjë e planifikuar ose si afekt, që në rastin e përmendur s’kemi ndonjë provë konkrete. Pyetje tjetër që shtrohet është se a është problem individual apo më i gjerë, kolektiv. Me siguri se ndodhitë apo dukuritë e tilla flasin se po ballafaqohemi me një krizë kolektive. Ekzekutuesi është individual por pasojat gjenerale. Të gjithë kuloareve flasin për deviancën, për drogën që shitet gjithandej, në katund dhe më gjerë, në ato përreth. Të gjithë përmendin emra por askush nuk i denoncon publikisht që të thuhet ja ky është “dexhalli” me shokët që më pas na sjellin keqësi si bastoret, kazinot (pak më larg por bujshëm të frekuentuara), prostitucionin etj. Dhe zeheri është i pashmangshëm. Fshatarë e banorë që shkojnë me qëndrimin “gjarpri që s’më kafshon mua, rroftë njëmijë vjet!” dhe pas një kohe gjarprin e gjen rreth qafës së vet. Harami na ka mbuluar – me një fjalë.  Ku ishin dashamirët që të ndërhyjnë që tanimë të ndjerët të afroheshin mes vete, ku ishin klerikët, dijetarët, prijësit tanë, shkollarët, politikanët.? Ku së paku ishin në ditën e varrimit? Pse s’ishte prijësi i dijetarëve, pse s’ishte myftiu i qytetit? Pse myftinia nuk i vuri në punë motorët e vet të “iftasë” (të dhënies së decizioneve fetare) lidhur me vrasësin dhe “akibetin” e tij, si duhej të trajtohej ai në bazë të fesë? Ku gjendeshte lidershipi ynë? S’i pashë as ministrat e këtij fshati (kërkoj falje nëse gabohem). Për vota futen edhe në birë të miu, kurse për hallqarje askund! S’është puna të kërcesh vetëm në dasëm, duhet të jesh edhe në momentet kur ka katastrofë, fjalë të cilën pas ndodhisë së bajramit me vend e përdori një hoxhë në xhuma në njërën xhamitë e çarshisë: “Hajde xhemat rregulloni safet, mos i leni katastrofë siç e kemi jetën katastrofë”. Diagnozë, detektim me vend, topi s’e luan. Gjithçka fillon nga gjërat që duken të vogla, nga një hidhërim për hiçgjë që më pas shndërrohet në vullkan që shpërthen apo cunami që na përbin. Cunami te ne ndodhi, cunami social. E çfarë të bëjmë që gjëra të këtilla të mos na përsëriten? Mobilizim social, të gjithë duhet të pastrojmë oborret tona. Duhet që të kultivojmë vlera të mirëfillta. Duhet që të përgatisim e të edukojmë njerëz, jo vetëm punëtorë të vyeshëm. Njerëzve duhet përkujtuar shpirtin, shpirtëroren, duhet afirmuar kulturën e bashkëpinimit, vëllazërimit. Këto gjëra edhe deri tani janë bërë – do të thotë dikush. Po ama, edhe veseve ua kemi hapur rrugët sa s’bën. Në rrethin ku jetojmë por edhe më gjerë, skemë është bërë kafeneja, kafeja në mes të ditës, dallaveret, dilerizimi. Xhamia shumë, te bëra me shuma astronomike (për kushtet tona) por të zbrazëta. E kur faltoret janë të zbrazëta, do të thotë se zemrat janë ta zbrazëta. Vakuumi shpirtëror shpie në anomi, në gjendje patologjike me të cilën po përballemi sot. Të gjithë kemi faj, nga maja e piramidës që lejon matrapazët të na dalin në skena e të na kërkojnë votën e deri të shitësi në treg që të jep 900 gramë banane ndonëse i paguajmë 1 kg. S’duhet shumë mend e as  akademizëm për të dhënë shpjegime për këtë gjendje. Na duhet më tepër dije, vetëdije. Siç është shprehur Rexhep Voka para një shekulli, “të gjitha këto ligësi që i ka populli shqiptar janë rezultat i mungesës së shkollës dhe i mosdijes. Mosdija dhe trimëria sot nuk sjellin kurrfarë dobie… Ç’vlen që fëmijët tanë janë si shqiponja, por nuk kanë dije… Kemi veshë e s’dëgjojmë, kemi sy e nuk shohim, mendje kemi e s’mendojmë, pa mësim e pa fe jemi si egërsira. Bota sot nuk përparon më thikë e pushkë, por me dije”.

Zoti na e kthjelloftë mendjen!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button