Katastrofa e testeve eksterne!

Profesorët, arsimtarët si dhe nxënësit ankohen për gabime të shumta në pyetjet e publikuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), të cilat do të jenë në testet eksterne.

Drejtori i shkollës fillore “Liria” në Shkup, Talat Sadiku bën të ditur se ka gabime në pyetjet e publikuara dhe se gjatë javës së ardhshme pritet që të reagojnë në MASH.

“Jam në dijeni që ka gabime teknike dhe gjuhësore, dhe arsimtarët janë duke i shqyrtuar gabimet dhe ankesat e më pas do i paraqesim ato në MASH, si shkollë dhe normal secili arsimtar personalisht”, tha Sadiku.

Gabime të shumta ka edhe në pyetjet për testimin e nxënësve të shkollave të mesme, ku profesori i biologjisë pranë gjimnazit “Zef Lush Marku”, Bedri Gjureci sqaron se pyetjet janë të pa kuptueshme dhe nuk definohen qartë.

“Gabime profesionale në këto pyetje ka në maksimum. Po t’i lexoni do të shihni do e kuptoni se nuk definohet çartë se çfarë kërkohet dhe janë shumë të pakuptueshme, gjë që krijon habi tek nxënësit. Ne do të ankohemi, por sa do të merren parasysh ankesat tona nuk e di sepse edhe viteve tjera jemi ankuar dhe prapë se prapë po ato pyetje me gabime kanë qenë në testim”, tha Gjureci.

Nga ana tjetër kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Kumanovës, Etem Xheladini thotë se sërish pritet të dënohen arsimtarë e profesorë dhe prandaj bëhen këto lëshime. 

“Unë e kam cekur edhe më herët që testimi ekstern është vetëm formalitet prandaj ka mjaft gabime. Profesorët gjobitën për tu mbushur buxheti i shtetit. Kurse ata profesor që kanë notuar drejtë dhe nota e tyre përputhet me atë të testimit, do të shpërblehen por vetëm me fjalë”, tha Xheladini.

Po ashtu edhe arsimtarët e shkollës fillore “Istikball”, njoftojnë se janë duke i shqyrtuar pyetjet, dhe më pas do parashtrojnë ankesat.

“I kemi pas disa pyetje sepse ende nuk kemi arritur ne fund ngase ka shumë dhe deri më tani kemi vërejtur gabime teknike, ku toponimet janë lënë në gjuhën maqedonase. Gjithashtu është e vështirë të konstatohet si të kuptueshme shumica e pyetjeve të cilat lidhen me disa përgjigje të mundshme të cilat nuk janë publikuar. Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha e më pas do të ankohemi për gabimet që do t’i detektojmë”, tha arsimtari Imrja Ademi, i cili ligjëron lëndën e gjeografisë pranë kësaj shkolle.

Nxënësit nuk i kuptojnë pyetjet

“Po , i kam lexuar pyetjet pothuajse në të gjitha lëndët, dhe shumë vështirë kuptohen. Kërkohet diçka që nuk është sqaruar. Nuk e di nuk i kuptoj i kam treguar edhe arsimtarëve dhe më kanë thënë që kam të drejtë të ankohem dhe të paraqes pyetjet e gabuara”, tha Njomza S., nxënëse e klasës së tetë.

“Nuk e kam hapur ende që t’i shoh pyetjet por me sa kam dëgjuar shokët dhe arsimtarët, ka mjaft gabime dhe ende pa i parë më ka kap frika”, tha Driton G., nxënës i klasës së gjashtë.

“Jam nxënëse e shkëlqyeshme dhe dëshiroj që notat e testimit ekstern t’i kem të larta. Herën e kaluar kam kaluar shumë mirë dhe shpresoj që edhe kësaj radhe do ja dal disi. Ama jam në stres provova t’i mësoj pyetjet dhe ka shum nga ato që nuk i kuptoj dhe shumë shpesh kërkoj nga profesorët që të më ndihmojnë”, tha Ardita B., nxënëse e vitit të tretë.

MASH premton korrigjim për ato pyetje për të cilat konstatohet se ka lëshime

Nga MASH bëjnë të ditur se ka ankesa, por ato më shumë janë për gabime teknike si dhe ka komente se a duhet apo nuk duhet të bëhet testimi ekstern. “Deri më 16 maj secili qytetarë ka të drejtë të paraqesë ndonjë gabim që është në pyetjet e publikuara dhe në fund komisioni profesional do të shqyrtojë dhe nëse ka nevojë do të bëjë korrigjimin e pyetjeve”, thonë nga MASH. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button