Ndërmjetësi Nimic në një tentim të ri për të zgjidhur çështjen e emrit

Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic, ka filluar vizitën e tij zyrtare në Maqedoni. Takimin e tij të parë ai e zhvilloi sot me presidentin Gjorgje Ivanov, takim në të cilin ka marrë pjesë edhe ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov, transmeton Shenja.

Qëllimi i kësaj vizite, siç është paralajmëruar edhe më herët, është që të rifillojnë përpjekjet dhe negociatat rreth mundësive për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Presidenti i Maqedonisë ka porositur që Republika e Maqedonisë edhe më tej do të merr pjesë në procesin që udhëhiqet nga OKB dhe ka theksuar se është e nevojshme të krijohet ambient pozitiv me qëllim të kuptimit dhe respektit më të mirë. Pala maqedonase me vite në mënyrë të vazhdueshme jep kontibut në drejtim të ndërtimit të besimit mes dy vendeve dhe dy shoqërive, është e domosdoshme të jepet implus plotësues nga të dyja palët në tejkalimim e kësaj çështje”, thuhet në njofimin e zyrës së presidencës.

Në kuadër të vizitës së tij, Nimic do të takoj edhe kreun e Qeverisë, Zoran Zaev dhe shefin e diplomacisë së vendit, Nikolla Dimitrov. Takime këto të cilat janë paralajmëruar se do të ndodhin gjatë ditës së nesërme.

Ditë më parë, shërbimi për Informim i OKB-së ka njoftuar se Nimic vjen në Shkup me ftesë të Qeverisë së Maqedonisë për të diskutuar mënyrat për të arritur përparim në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e emrit.

Në kumtesë është thënë se me ftesë të Qeverisë greke, është paraparë që Nimic të vizitoj edhe Athinën zyrtare.

Para vizitës së tij, Nimic ka deklaruar se shpresat për zgjidhjen e kontestit disavjeçar shtohen pasi Qeveria e re ka dërguar sinjale se është e gatshme të punojë për marrëdhënie të mira fqinjësore.

Ndërkohë, para disa javëve në një intervistë për një gazetë greke, ai tha se zgjidhja e çështjes së emrit duhet të jetë lart në agjendën e qeverisë së re. Nimic pret që të fillojnë negociata serioze për zgjidhjen e këtij kontesti.

Përfaqësuesi i posaçëm i KB-së në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë, për herë të fundit i vizitoi të dy vendet në fund të korrikut të vitit 2014.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button