“Eco Guerilla” takim me kryeministrin Zaev dhe ministrin Duraku

Përfaqësues të organizatës joqeveritare “Eco Guerilla” në hapësirat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë zhvilluan një takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e Mjedisit Jetësor, Sadulla Duraku, ku diskutuan mbi çështjet mjedisore në rajonin e Pollogut, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i organizatës “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi, pas takimit bëri të ditur se në takim është diskutuar edhe çështja e kombinatit “Jugohrom” dhe kërkesa e sindikatës së Jugohromit për rifillimin e punës në këtë kombinat.

“Nga Qeveria na bënë me dije se kanë mirëkuptim për pozicionet tona dhe se çfarë do lloj negociatash që mund të zhvillohen më tej me menaxhmentin e Jugohromit do të kërkohen garanci të shkruara, e jo si deri më tani që kanë qenë garanci me fjalë se do të instalohen filtrat në këtë datë apo në atë datë”, deklaroi Xhaferi.

Xhaferi theksoi se në takim janë diskutuar edhe çështje tjera, të tilla si deponia e Tetovës, për të cilën siç tha Xhaferi, nga kryeministri u është thënë se vendimi i parë që do të merret në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të jetë lokimi i fondeve për dislokimin e “deponisë së egër nga Tetova”.

Ndërkaq, kombinati “Jugohrom” u mbyll më 1 nëntor të vitit të kaluar, pas vendimit të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit për mos vazhdimin me punë, pasi u konstatua se kombinati metalurgjik nuk i përmbush standardet ekologjike për të vazhduar me punë.

Ndryshe, para disa javëve edhe sindikata e Jugohromit realizoi takim me kryeministrin Zaev, ku është kërkuar që të vazhdojë me punë paralelisht me ndërtimin e stacionit filtrues. Mirëpo, një gjë e tillë nuk pranohet nga organizata “Eco Guerilla”, e cila deri në mbylljen e kombinatit vazhdimisht organizonte protesta kundër punës së Jugohromit pa vendosjen e filtrave, duke e konsideruar si ndotës më të madh të rajonit të Pollogut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button