Topalli: Basha, garë e rreme

Jozefina Topalli e cilësoi Lulzim Bashën katastrofën e Partisë Demokratike. Ajo tha se Basha po përgatit një garë të rreme në Partinë Demokratike dhe kërkon të grabisë një mandat tjetër në krye të PD, transmeton Top Channel. 

Ish-nënkryetarja e PD thotë se largimi i Bashës është shpëtim i Partisë Demokratike. Kërkojmë garë të barabartë, tha Jozefina Topalli.

“Basha ka urdhëruar nisjen e një procedure antistatutore për t’i imponuar Partisë Demokratike një garë të rreme për drejtimin e ri. Duke e bërë procesin zgjedhor në parti antistatutor, të nxituar, jo serioz dhe të papërgjegjshëm, zoti Basha po kërkon jo thjesht të mbajë peng partinë dhe të grabisë një mandat të ri drejtues, por së pari po kërkon që t’i shmanget dhënies llogari dhe marrjes përsipër të përgjegjësisë për humbjen katastrofale në zgjedhjet parlamentare. Zoti Basha shpreson se përmes garës së tij të rreme mund të shndërrohet nga humbës në “fitimtar”. Disa qindra mijëra vota që Basha ia hoqi Partisë Demokratike nuk i asgjëson. Zoti Basha është katastrofa e PD-së. Falë strategjisë së gabuar dhe taktikave elektorale të ngritura mbi glorifikimin e personalitetit të tij të rremë, ai rrëzoi në gjunjë Partinë Demokratike dhe i dha ndihmën më të madhe zotit Rama. Demokratët e dinë shumë mirë këtë, prandaj zoti Basha kërkon me çdo kusht të manipulojë procesin duke shkelur brutalisht statutin e Partisë. Zoti Basha tmerrohet nga forumet, sepse tmerrohet nga e vërteta. Prandaj, ne kërkojmë garë të barabartë, rregulla të ndershme e të paanshme, proces të hapur e transparent, konkurrencë të vërtetë, ballafaqim e debat. Ne kërkojmë respektim dhe vendimmarrje të forumeve drejtuese, sipas statutit. Të gjitha këto janë kushte të panegociueshme të procesit. Pa to, në PD nuk ka dhe nuk mund të ketë garë. Sa më shpejt ta realizojë Basha këtë, aq më shpejt do vijë ringritja. I bëj thirrje zotit Basha të ndërpresë menjëherë paligjshmërinë dhe pengmarrjen e partisë”, tha Topalli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button