U shënua Dita e Komunës së Gostivarit, qytetar nderi u shpall prof. Milaim Fejziu

Komuna e Gostivarit, në Qendrën për Kulturë organizoi Akademinë Solemne me rastin e Ditës së Komunës, 29 Qershorit.

Në prani të funksionarëve të lartë shtetëror, deputetë, përfaqësues të jetës fetare, kryetarë komunash, përfaqësues të Komunave Stari Grad të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Smolen të Bullgarisë, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, pasi përshëndeti të pranishmit, foli mbi rëndësinë e Ditës së Komunës së Gostivarit.

Ai tha se 29 Qershori paraqet Ditën e Komunës së Gostivarit. Kjo datë, shtoi Bejta, për qytetarët e Komunës së Gostivarit ka një domethënie të madhe historike, pasi më 29 qershor të vitit 1992 pas shkatërrimit të sistemit komunist, qytetarët e Gostivarit për herë të parë patën rastin që me votën e tyre demokratike të zgjedhin kryetarin e Komunës dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera lokale.

“Është një moment ku Ne së bashku shpalosim të arriturat tona, shpallim qytetar nderi, ndajmë mirënjohje për personalitete të ndryshme dhe mbi të gjitha takohemi dhe afrohemi mes veti. Nga qershori i vitit të kaluar dhe deri tani, në infrastrukturë realizuam mbi dyzet projekte, dhe do të veçonim ndërtimin e rrugës dhe urës së re mbi lumin Vardar, si projekt kapital dhe jetik për qytetarët e Gostivarit. Riasfaltuam rrugën në Lagjen Dutllëk dhe mund të themi që realizuam një premtim elektoral për zbutjen e komunikacionit në bërthamën e qytetit. Ndërtuam dhe asfaltuam me dhjetëra rrugë, ndërtuam sisteme të kanalizimeve fekale dhe atmosferike. Krahas infrastrukturës, vëmendje të veçantë i kushtuam gjelbërimit, duke mbjellë qindra drunjë në bulevardet dhe rrugët kryesore të qytetit”, tha Bejta, duke shtuar se në urbanizëm miratuam ndryshimet në Planin Gjeneral Urbanistik, miratuam shumë Plane Detale Urbanistike për qytetit dhe Akte të përgjithshme urbanistike për fshatrat më të mëdha të Komunës së Gostivarit.

“Në katër vitet e kaluara realizuam gati 100 për qind programin parazgjedhor 2013 – 2017, dhe kjo tregon që premtimet të cilat i japim, edhe i realizojmë. Brenda katër vitesh në qytetin e Gostivarit u ndërtuan gati 50 objekte të mëdha banesore dhe afariste. Kjo ndikoj në rritjen ekonomike të qytetit, duke hapur perspektivë punë për shumë biznese lokale”, tha mes tjerash Bejta, i cili pas fjalimit të tij ndau mirënjohje për Leart Taravarin, i shpallur si student më i mirë i diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Shkup dhe bartës i “Unazës së Artë Inxhinierike”, si dhe Berat Jakupin i shpallur nënkampion Evrope në karate.

Nga skena e Qendrës për Kulturë në Gostivar, Qytetar Nderi i Qytetit të Gostivarit për vitin 2017, Bejta shpalli pishtarin e arsimit Shqip, Milaim Fejziu, i cili ishte kryetar i parë i Senatit të Universitetit të Tetovës.

Në fjalimin e tij, Fejziu falënderoi kryetarin dhe komunën e Gostivarit për nderin e treguar ndaj veprës së tij.

“Uroj që Zoti t’u nderon edhe Juve”, potencoi Fejziu.

Fjalë rasti mbajti kryesuesi i Këshillit Komunal, Nasir Musliu, i cili mes tjerash potencoi bashkëpunimin e ngushtë mes Këshillit Komunal dhe kryetarit të Komunës në miratimin dhe realizimin e shumë projekteve kapitale.

“Vendimet e miratuara në Këshill janë projektet e realizuara nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. Janë projekte të cilat i shohin dhe i prekin qytetarët. Miratimi i programit zhvillimor të Komunës, i cili u përgatit duke marrë për bazë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Gostivarit, sot u bë realitet dhe ka përmirësuar jetën e qytetarëve të Gostivarit”, tha Musliu.

I pranishëm në këtë eveniment ishte kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili në fjalimin e tij përshëndetës potencoi që Komuna e Gostivarit është një nga Komunat e para e cila ka zbatuar praktika më të mira në të mirën e qytetarëve, duke ndjekur shembujt e mira të komunave evropiane.

“Vazhdimisht kam ndjekur punët e Komunës së Gostivarit, dhe vlen të theksohen projektet dhe investimet kapitale në të gjitha sferat, por edhe reformat e zbatuara në përfshirjen e qytetarëve në forma të ndryshme në vendimmarrje”, tha mes tjerash kryeparlamentari Xhaferi.

Fjalë rasti mbajtën edhe përfaqësuesit e Komunave Stari Grad dhe Smolen, Sanel Dragolovçan dhe Ivan Todorov Pejkov, të cilët shprehen fjalë miradie për punët e realizuara nga Komuna e Gostivarit dhe në emër të kryetarëve të Komunave, Ibrahim Haxhibajriç dhe Nikolaj Melemov falënderuan kryetarin e Komunës së Gostivarit, Bejta për ftesën e bërë për të qenë të pranishëm në festën e Ditës së Komunës.

Para mysafirëve të ftuar u shfaq dokumentari nga punimet dhe projektet e realizuara nga Komuna e Gostivarit në periudhën kohore nga qershori i vitit 2016 dhe deri tani, ndërkaq, Akademia u madhështua me programin artistik që në skenë e sollën Kuarteti i Haqeve, Grupi i grave “Teuta’ nën dirigjimin e profesor Jetmir Rexhepit dhe udhëheqësit artistik, Jeton Pustina, si dhe pianistja e talentuar, Endrra Ademi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button