fbpx

Selami: PD duhet të rigjejë vlerat. Gati të jap kontributin tim

Kandidati për kryetar të PD, Eduard Selami ka deklaruar se situata në të cilën ndodhet kjo parti duhet shfrytëzuar për të ripërtërirë vlerat e saj, të cilat sipas tij ndër vite ajo i ka humbur, transmeton Top Channel. 

“Mendoj se këto janë periudha sa të vështira, aq dhe të pasura me oportunitet për ta ngritur PD aty ku janë vlerat më të mira të demokracisë dhe të partive bashkëkohore”, ka deklaruar Selami.

Në vlerësimin e Selamit, PD ka mbetur mbrapa në kohë dhe tani më shumë se kurrë është mundësia që ajo të ecë me hapin e kohës. Dhe në këtë drejtim, Selami ka nënvizuar se është i gatshëm të japë kontributin e tij.

“Është për të ardhur keq që PD-në koha e ka lënë mbrapa. PD duhet të ecë me hapin e kohës. Unë jam i sigurt se kjo ditë do të vijë dhe ky do të jetë kontributi im nëse zgjidhem”, ka thënë Selami.

Ai ka theksuar se, Partia Demokratike ka nevojë për një analizë të hapur dhe të drejtëpërdrejtë, duke u fokusuar më shumë tek gjërat që e bashkojnë sesa tek ato që e ndajnë atë.

“Unë do jap kontributin tim që kjo të jetë një garë një model jo vetëm për lidershipin e PD, por për të kthyer besimin tek qytetarët dhe për ta cuar Shqipërinë aty ku ajo meriton”, ka shtuar Selami.

Më tej ai i është përgjigjur interesit të mediave, të cilat në fokus kanë pasur përgjegjësinë e kryetarit Basha për disfatën në zgjedhje.

“Siç merr kreditet më të mëdha kur fiton, ashtu i merr edhe në rast humbjeje. Por natyrisht kjo nuk është vetëm përgjegjësi e Lulzim Bashës”, ka thënë Selami.

I pyetur nëse kryetari aktual duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i PD, lideri i dikurshëm i demokratëve ka nënvizuar se, përpara zgjedhjeve për kryetar të gjithë duhet të jenë të barabartë.

“Në këto 4 vjet pamë një nga qeveritë më të këqija dhe nuk arritëm t’u jepnim besim qytetarëve. Me keqardhje them se shqiptarët zgjodhën të keqen më të vogël. Do të kontribuoj për ta ndryshuar këtë trend dhe të zgjedhin të mirën më të madhe”, ka shtuar Selami.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button