Lëvizja BESA: PSP deri të premten t’i procedojë rastet “Sopoti” dhe “Monstra”!

Lëvizja BESA ka kërkuar nga Prokuroria Speciale Publike që deri të premten t’i procedojë rastet “Sopoti” dhe “Monstra”, kur është edhe afati i fundi që të iniciohen dhe procedohen këto raste.

“Ashtu siç e kemi ngritur gjithnjë zërin kundër padrejtësive dhe standardeve të dyfishta që bëhen në kurriz të shqiptarëve të Maqedonisë, Lëvizja BESA edhe sot përsëri i drejtohet publikisht Prokurorisë Speciale Publike që deri të premten t’i procedojë rastet “Sopoti” dhe “Monstra”. Pavarësisht vendimit të Këshillit të Prokurorëve për rastin “Sopoti”, ne gjykojmë se PSP-ja ka materiale të mjaftueshme që ta iniciojë vetë atë lëndë dhe të mos lejojë që drejtësia e politizuar e dyshes VMRO-BDI të tallet ende me jetën e të përvuajturve të Sopotit dhe të Monstrës”, tha në konferencë për media përfaqësuesi i Lëvizjes BESA, Blerim Sejdiu.

“Në të vërtetë, të burgosurit e këtyre dy rasteve më të ndjeshme gjyqësore ende janë subjekt i paproceduar i materialeve që Prokuroria Speciale Publike i ka në posedim, ndërsa të premten mund jetë afati i fundit që të iniciohen dhe procedohen këto raste. E, nëse kjo nuk bëhet deri të premten dhe pastaj nuk bëhet asnjëherë me arsyetimin e skadimit të afatit, do të konsiderohet si mashtrim dhe tradhti ndaj atyre që e vuajnë burgun e përjetshëm për shkak të drejtësisë së politizuar në Maqedoni. Në fakt, çdo ditë e kaluar në burg është krim i pafalshëm që shteti ushtron ndaj këtyre qytetarëve!

Meqë dihet se mekanizmat për zbardhjen e të vërtetës së këtyre dy rasteve janë në duart e Prokurorisë Speciale Publike dhe të kësaj qeverie dhe se ky ishte edhe premtimi i Zoran Zaevit për votuesit shqiptarë, i cili deklaronte se ekzistojnë dëshmi se shqiptarët e këtyre rasteve gjykohen pa të drejtë dhe janë viktimë e proceseve të montuara politike, kërkojmë që sa më shpejt të bëhet ndriçimi i plotë i këtyre rasteve. Në të kundërtën, nëse këto raste nuk procedohen, ne do t’i japim të drejtë vetes të konstatojmë se edhe PSP-ja vepron me diktat politik dhe shërben si lavatriçe që i pastron ministrat e korruptuar të BDI-së.

Lëvizja BESA vlerëson se, pa zbardhjen e tërësishme të këtyre rasteve, nuk mund të flitet për situatë stabile ndëretnike dhe kthim të besimit në institucionet e vendit.

BESA nuk do të heshtë e as nuk do të lejojë që jeta e shqiptarëve të varet nga pazaret politike dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë deri në zbardhjen e tërësishme të këtyre rasteve të padrejta!”, thuhet në njoftimin për media nga kjo parti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button