Botërorët 2018-2022, FIFA publikon të plotë raportin

FIFA reagoi pas artikullit të publikuar nga “Bild”, sipas të cilit ky organizëm kishte fshehur disa detaje të rëndësishme nga raporti i Michael Garcias, që vërtetojnë korrupsionin në caktimin e Rusisë dhe Katarit si vende organizatore të botërorëve të viteve 2018 dhe 2022, shkruan Top Channel.

Qeveria e futbollit botëror vendosi të publikojë të plotë raportin e e ish-hetuesit të saj, në faqen e saj të internetit.

“Për hir të transparencës, FIFA e mirëpriti artikullin e ‘Bild’ dhe tashmë publikohet i plotë ky raport”, theksohet në komunikatën e FIFA-s. “Ky veprim u bë në mënyrë që të evitohet dhënia e informacioneve të gabuara”.

Michael Garcia, që tani është anëtar i Gjykatës së Apelit në shtetin e Nju Jorkut, shpenzoi 18 muaj dhe mori në pyetje 75 dëshmitarë gjatë hetimeve të tij, për procesin e caktimit të vendeve organizatore për dy turnetë e shumëdiskutueshëm.

Raporti i tij në vitin 2014 nuk u publikua, por u dorëzua në duart e kreut të Komisionit të Etikës në FIFA, Hans Joachim Eckert, i cili vendosi që të publikohet vetëm një version i reduktuar prej 42 faqesh i këtij raporti, që nuk jepte prova të mjaftueshme për të rihapur procesin e vlerësimit të kandidaturave për Botërorin 2018 dhe atë 2022.

Garcia kritikoi publikisht Eckert për këtë veprim, e në dhjetor të vitit 2014 dha dorëheqjen nga detyra e tij. Skandali në FIFA shpërtheu në vitin 2015, kur dhjetëra zyrtarë të FIFA-s u vunë nën akuzë për korrupsion nga SHBA, ndërkohë që edhe Prokuroria e Zvicrës nisi hetimet për procesin e votimit për organizatorët e botërorëve 2018 e 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button