Dhuna ndaj një ideje fisnike

Unë habitem si kaloi dhe u harrua e gjithë ajo dhunë,  gjithë ajo dramë që ndodhi para  Kuvendit dhe në kuvendin e RM, si u harruan gjithë ato fyerje që shkuan në adresë të shqiptarëve dhe veçmas gjithë ai helm e vrer që u derdh mbi gjuhën tonë shqipe nga ana e militantizmit të rrugës së VMRO-së, ose të militantizmit antishqiptar, nuk e kuptoj si nuk u nxorën në shesh gjithë ato plane të fshehta, gjithë ato kanale të nëntokës që kishin për qëllim dënimin me vdekje jo të një personi, jo të Zijadin Selës, por të idesë shqiptare për barabarësi dhe për liri, pra për të mos qenë qytetar të rendit të dytë dhe si ndenjën duarkryq prokuroria, gjyqet dhe organet tjera, duke u shndërruar në sehirxhinj të thjeshtë, jo si institucione të cilat janë themeluar për t’i mbrojtur institucionet e shtetit dhe qytetarët? Nuk i hynë në kokë këto asnjë njeriu normal, sepse duken aq të qarta planet ogurzeza të qendrave të caktuara politike në çdo lëvizje të turmave të organizuara dhe të armatosura që u futën në kuvend, nën kujdesin e disa strukturave të pushtetit, nuk i hynë në kokë sepse kjo dhunë i kaloi kufijtë e absurdit, – të sulmohet edhe vullneti i shumicës parlamentare, por më së shumti të dënohet me vdekje ideja e lirisë së shqiptarëve, ideja e barabarësisë së plotë e tyre, ideja që përfundimisht shqiptarët mos të jenë qytetarë të rendit të dytë në vendin e tyre.

Pastaj: nuk mund të kuptohet si mund të amnistohen heshturazi dhunuesit e atij kalibri që u futën dhunshëm brenda dhe i sulmuan e keqtrajtuan fizikisht njerëzit në shtëpinë është e paprekshme sepse deputetët aty e përcjellin dhe e sheshojnë fjalën e popullit, ku bëhet botor vullneti i popullit. Kush nuk e ka ndjekur gjithë atë dramë e cila na la pa frymë kur pamë fytyra të përgjakura deputetësh nga sulmet e egra të njerëzve të rrugës, kur pamë se si ngrehej barbarisht për flokësh një deputete dhe përplasej me forcë nga një anonim i fryrë me pompën e urrejtjes dhe përfundimisht kush nuk e ka ndjekur dramën që i ndodhi deputetit shqiptar Zijadin Sela i cili më qartë se kushdo tjetër e artikuloi dhe e artikulon vullnetin e popullit shqiptar në këtë kohë, vështirë e ka njeriu ta kuptojë  se çfarë ultësie ndodhi në zemrën e një vendi i cili ka dëshirë të shitet si “nënë e kulturës botërore”, “si kërthizë e botës” etj. dhe nuk mund as ta imagjinojë se aty nuk ishin në cak deputetët (sepse pamë deputetë shqiptarë që në hovin e dhunës flisnin miqësisht me militantët dhunues), por sulmohej gjuha shqipe, tradita shqiptare dhe sulmohej mundësia për t’u arritur barabarësia e shqiptarëve me maqedonasit. Zijadini në ato çaste ishte sinonimi i gjuhës shqipe, i vlerave të traditës sonë, i përpjekjeve për t’u arritur barabarësia, kurse atëherë në vend të solidaritetit ai dukej se u ballafaqua me një vetmi të paparë. U krijua një përshtypje se ideja për barabarësinë e gjuhës shqipe u gjet në situatë pa shteg. Pa dorën mbrojtëse të atyre që janë të thirrur të kujdesen për rendin e paqen.  Pra mbrojtjen nga dora e pushtetit. Kjo dorë në ato çaste u ngrit kundra të drejtës së natyrshme të shqiptarëve para syve të tërë botës, duke harruar se jashtë ishte në platformën e mbrojtjes energjia e paparë e popullit shqiptar që e ka ruajtur me mileniume gjuhën shqipe dhe vlerat tjera kombëtare.

Sa e habit njeriun normal e gjithë kjo, aq më shumë e habit dhe e trondit ajo nonshalnca, letargjia dhe papërgjegjësia e gjyqit i cili me një lehtësi aq të madhe solli vendim që për ngjarjet e përgjakshme të Kuvendit nja 30 veta t’i paraqesë si të dyshuar për pjesëmarrje në turmë, për shumicën e tyre u shqiptuan masa kujdesi, e vetëm për disa u shqiptuan dënime për dhunë në Kuvend. Aq dhe pa turp fare. Por nga gjyqësia e tillë as që mund të pritej diçka tjetër.

Ajo që e tmerron njeriun më së shumti është fakti se partitë shqiptare nuk dolën me deklaratë të përbashkët që ta dënojnë këtë dhunë, se nuk kërkuan nga organet e ndjekjes dhe të drejtësisë që të merren masa për atentatin që iu bë Kuvendit, fjalës së lirë, lirisë së mendimit, urrejtjes, dukurisë së shovinizmit antishqiptar, tentimit për vrasje e shumë vepra të tjera, se nuk ngritën aktpadi për të gjitha veprat me të cilat u shkel ligji. Për çudi është se askush nga institucionet shtetërore nuk tha gjë, askush nga institucionet akademike nuk bëzani, askush, askush. U respektua tradita e antishqiptarizmit që këtu i ka rrënjët dhe kultivohet që nga koha kur fuqitë e mëdha i themeluan shtetet ballkanike duke i sakatuar trojet etnike shqiptare.

Por as kjo  nuk e habit aq shumë qytetarin shqiptar dhe asnjë qytetar, por habia bëhet e madhe me institucionet e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, të cilët nuk reaguan fare, ndonëse e kanë ditur më shumë se gjithkush se ishte ky një sulm kundër lirisë së njeriut, kundër lirisë së shqiptarëve, kundër lirisë përgjithësisht. Nuk reaguan dhe kjo të lë pa tekst kur e di se po të kishte ndodhur që në Kosovë jo të lëndohej, por vetëm të shtyhej pak një deputet serb do të çohej në këmbë e tërë Evropa, do të ishin mbajtur debate e debate dhe do të ishin marrë masa kundër institucioneve dhe individëve.

Ndoshta është tepër të thuhet se kjo dhunë në Kuvend ishte një paturpësi, e cila qëllimisht u hesht nga të gjithë: nga shqiptarët vetë, nga maqedonasit, nga institucionet e vendit, nga institucionet e BE-së etj. Të gjithë e dinë të vërtetën lakuriqe, të gjithë janë dëshmitarë e bëhen se rastësisht, në kalim e sipër e kanë parë nga birat e gardhit një zënkë të vogël, jo një dramë në të cilën rrezikohej interesi i një populli.

Kësaj indiference i thonë moral i dyfisht ose më drejt dyfytyrësi.

Derisa nga institucione evropiane vazhdon të nënvlerësohet, të paraqitet si një zënkë naive dhuna në Kuvend ,që i vuri njollën e zezë politikës së këtushme, rreziku nga rruga dhe rrugaçëria do të qëndrojë lartë, mbi kokat tona, si shpata e Damoklit.

Ne këtu, i zgjidhim problemet e natyrës së këtillë me një hajt. Me hajt, ndërkaq, nuk shkohet në Evropë. Në lindje po. Dhe, mos, ndoshta ne ende jemi në botën lindore, kur gënjeshtra nuk merret si ves e dhuna trajtohet si vlerë. Unë, për vete them se jo. Pjesa më e mirë e popullit tonë nuk e lë të vetmuar Zijadin Selën, pra idenë për lirinë dhe barabarësinë e popullit shqiptar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button