Shkrimtarë e akademikë lavdërojnë imamin Shefqet Krasniqi

Fakulteti i Studimeve Islame, në kuadër të Universitetit të Prishtinës, i ka promovuar hoxhë Dr. Shefqet Krasniqit, vëllimet më të reja të librave të tij, në të cilët përfshihen shkrime e ligjërata.

Recensentët e librave të tij kanë thënë se ai me të drejtë po shqetësohet për gjëra negative e që, sipas tyre, po vijnë pasi njerëzit nuk po udhëzohen në fe. Myftiu i Kosovës, Naim Ternava ka thënë se islami nuk është fe e terrorizimit, siç po tentohet të përshkruhet.

Për Krasniqin e librat e tij ka folur edhe ish kryetari i Parlamentit të Kosovës, akademik Nexhat Daci.

Duke folur për hoxhë Krasniqin, shumë i ashpër ka qenë drejtori i radios “Kosova e Lirë”, i cili ka sulmuar me fjalët më të rënda mediet, të cilat i ka etiketuar si anti-islame.

Për librat e Krasniqit, foli sociologu Fadil Maloku, sipas të cilit Krasniqi është hoxha që polemizon me realitetin nëpërmjet konditave fetare duke i analizuar problemet sociale. 


“Krasniqi është shkurorëzuar nga mënyra tradicionale e komunikimit me publikun fetar”, tha Maloku. 

Ai ka vazhduar edhe më tej lavdet për Krasniqin. “E kanë keqkuptuar dhe keqinterpretuar. E kanë vënë në thumb të kritikave dhe kërcënimeve. Por ai vazhdon me atë se ‘qentë lehin e karvani përsëri ecën’”, shtoi Maloku. 

Ndërkohë Albatros Rexhaj, autori i librit “Bombë në Beograd”, edhe pse tha se ishte ftuar nga Krasniqi për ta kritikuar, ai nuk kurseu lëvdatat. 

Dha vetëm një kritikë. Tha se shkrimet në libra nuk janë radhitur mirë. Tregoi sesi pjesën më të madhe të shkrimeve të Krasniqit i ka lexuar nëpër media dhe sesi kur bisedon me të për gjëra që nuk pajtohen, hoxha i thotë “Allahu të rujtë” 

“Krasniqi i bën transparente qëndrimet e tij. Transparenca është diçka që i duhet kësaj shoqërie. Ai është udhëheqës i xhamisë më të madhe, por për disa të tjerë është edhe figurë kontroverse”, tha Rexhaj. Sipas tij, me këto dy libra, Krasniqi tregon se është edhe intelektual që nuk frikohet të bëjë publike mendimet e veta.

Lajme të ngjashme

Back to top button