Shkup, Han dhe Pribe nesër sjellin prioritetet reformuese urgjente

Eurokomisari për politikë evropiane të fqinjësisë dhe negociata për zgjerim, Johanes Han, nesër do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë në biseda rreth planeve për reforma të Qeverisë së re të Maqedonisë, si dhe ta përsëris përkrahjen e Bashkimit Evropian për vendin që t’i zbatojë reformat e domosdoshme që në të ardhmen të bëhet anëtare e Unionit.

Është paraparë që Han gjatë vizitës në Shkup të takohet me kryeministrin, Zoran Zaev, me përfaqësues tjerë të Qeverisë së re dhe me liderët e tjerë politik në vend.

Në deklaratën e dhënë gjatë ardhjes së tij në Maqedoni, Han potencoi se e viziton Maqedoninë që të nxisë zbatimin e reformave që Brukseli pret të zbatohen në afat të shpejtë, e me qëllim që të kthehet në rrugën e integrimit evropian.

“Me përkrahjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, vendi më në fund e tejkaloi krizën politike përmes zgjedhjeve të administruara mirë dhe formimit të qeverisë së re. Tani, Qeveria e re, së basku me opozitën, duhet të përqendrohet në zbatimin e Prioriteteve urgjente reformuese dhe në zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes së Përzhinës, me qëllim që të kthehet vendi në rrugën drejt integrimit në BE. Reformat duhet të bëhen që të përmirësohen jetët e njerëzve, të punohet për stabilitet, prosperitet dhe drejtësi. Grupi i obliguar i ekspertëve të lartë të pavarur për sundimin e së drejtës, i udhëhequr nga Rajnhard Pribe është veçmë në vend që t’i ndihmojë dhe ta këshillojë Qeverinë e re për çështje të sundimit sistematik të së drejtës”, deklaroi komisari Han para ardhjes së tij në Maqedoni.

Në ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë është duke përgatitur Plan veprues me masa dhe aktivitete të cilat duhet të ndërmerren në kontekst të eurointegrimeve, të cilat do t’i prezentohen eurokomisarit Johanes Han gjatë vizitës së tij në Shkup. Në Maqedoni tashmë është duke qëndruar edhe eksperti gjerman, ish-drejtor i Drejtorisë për zgjerimin e BE-së, Rajnhard Pribe, i cili ditëve në vijim do të ketë takim me përfaqësues qeveritarë për Prioritetet reformuese urgjente, si dhe për planin veprues të Qeverisë për zbatimin e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button