Bajrami i Madh, ja si uron presidenti Nishani besimtarët

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për festën e Bajramit të Madh.

“Le të na shërbejë kjo ditë e shenjtë feste për të pastruar veten dhe shoqërinë tonë nga ndasitë, mëritë dhe përçarjet pa vend e të na afrojë gjithmonë e më shumë me njëri-tjetrin, dhe në respekt të frymës së harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, të na rrisë më tepër dashurinë dhe afrimitetin me vëllezërit dhe motrat tona të një gjaku e të një kombësie”, thotë në urimin e tij kreu i shtetit.

“Jam besimplotë se pas ditëve të sakrificave e plot mundim, por edhe ripërtëritëse të besimit e të virtyteve tona më të mira fetare e njerëzore gjatë muajit të Ramazanit, festa e Bajramit do të na gjejë edhe më të paqtuar, më zemërgjerë e më tolerantë e akoma edhe më solidarë mes nesh, duke iu gjendur pranë e duke iu shtrirë dorën plot mëshirë e mirësi atyre që janë më të pafat, të sëmurëve, të vobektëve, të pamundurve, jetimëve, të cilët jeta dhe fati i kanë trajtuar fatkeqësisht jo edhe aq me bujari”, vijon Presidenti Nishani.

“Kështu që në këtë ditë të madhërishme feste, si dhe duke pasur parasysh ato sakrifica të përvuajtshme e të përkushtuara njëmujore ndaj të Plotfuqishmit si dhe besimit tuaj të palëkundur, ju dëshiroj secilit prej jush kudo ku jeni paqe, lumturi e begati, kthjelltësi të mendjeve e shpirtrave tuaj, por mbi të gjitha, respekt dhe pranim të të tjerëve që mund të jenë më të pafat e ndryshe prej jush. Edhe njëherë, të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë, kudo ku jetoni e punoni, ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe për shumë mote të tjera Bajramin e Madh!”, mbyll urimin e tij kreu i shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button