Maqedonia ndryshon politikën ndaj shteteve fqinje

Vizita e kryeministrit Zoran Zaev në Bullgari dhe ajo e shefit të diplomacisë, Nikolla Dimitrov në Greqi, i ka dhënë shtytje të re raporteve diplomatike të Maqedonisë me këto dy shtete fqinje, me të cilat ajo ka konteste të ndryshme që nga pavarësia e saj, shkruan REL.

Me Greqinë ka të pazgjidhur çështjen e emrit, që kontestohet nga Athina dhe me Sofjen çështjen e gjuhës, por edhe çështje tjera me identitetin dhe historinë.

Por, gatishmëria dhe mesazhet që erdhën nga këto vizita, se në raportet ndërmjettyre nuk duhet të ketë nxitje të tensioneve, apo politika të udhëhequra nga nacionalizmat, kanë ulur tensionet. Madje me Bullgarinë pritet që pas një muaji të nënshkruhet edhe marrëveshja për fqinjësi të mirë, ndërsa me Greqinë pritet rikthimi i bisedimeve për mbylljen e kontestit të emrit.

Njohësit e çështjeve politike dhe ndërkombëtare, thonë se raportet e mira me shtetet fqinje janë thelbësore në të gjithë procesin e integrimit evropian të vendit, por edhe për zhvillimin e tij dhe në të mirën e qytetarëve që kanë lidhje me këto shtete.

Mitko Gaxhovski, analist dhe profesor në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Shkup, thotë se Qeveria e re ka shumë për të mësuar nga Qeveria e kaluar se si nuk duhet të sillet me fqinjët.

Sa më shpejt të normalizohen raportet me fqinjët tanë që janë anëtarë të integrimeve euroatlantike, më mirë dhe më lehtë do të jetë për Maqedoninë që të vazhdojë me proceset e nisura nga Qeveria e re në rrugën e inkuadrimit të vet po në ato organizata ku tashmë kanë aderuar fqinjët tanë”.

“Vetëm me politike të fqinjësisë së mirë, ne mund të përparojmë si shtet dhe shoqëri, pasi politikat e nxitjes dhe krijimit të problemeve mund të izolojnë vendin dhe këtë pa dyshim se në radhë të parë do ta ndjejnë qytetarët, të cilët duan të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane”,vlerëson Gaxhovski.

Edhe Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se raportet me fqinjët janë të rëndësishme dhe se kjo, sipas tij, u dëshmua edhe në zgjedhjet e dhjetorit kur qytetarët dënuan me votën e tyre politikën konfliktuoze të Qeverisë së Gruevskit

“Realisht, qytetarët e Maqedonisë me votën e tyre në zgjedhjet e fundit treguan se Maqedonia duhet të krijojë një politikë krejtësisht të re në politikën e jashtme, pra afrimin e Maqedonisë me vendet e rajonit dhe më tej. Kështu që, këto zhvillime i shoh si përmirësim të imazhit të Maqedonisë për shkak se deri më tani ne kishim një qeverisje jo vetëm autokratike, por edhe konfliktuoze me fqinjët”, thotë Sinani.

Harta e Maqedonisë

Por, përveç me Bullgarinë dhe Greqinë, ekspertët thonë se Qeveria e re duhet të vendosë kontaktet edhe me qeveritë në Kosovë dhe Shqipëri,si dy shtete fqinje shumë të rëndësishme edhe për faktin se një përqindje e madhe e popullsisë në Maqedoni është shqiptare. Me këto dy vende Maqedonia nuk ka konteste, por raportet duhet të zhvillohen në të gjitha sferat.

“Nuk duhet të lihen anash edhe kontaktet bilaterale me shtetet tjera fqinje me Shqipërinë, Kosovën, po ashtu me Serbinë. Të gjithë këto kontakte janë të rëndësishme për raportet e mira fqinjësore, sidomos me problemet që shtetet i kanë të përbashkëta”.

“Nuk më habit fakti se kontaktet e para vendosen me ato shtete si me Greqinë dhe Bullgarinë, me të cilat deri tani kanë pretenduar se kanë pretekst për të bllokuar Maqedoninë në procesin e eurointegrimeve”, thotë Bekim Kadriu, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare duke theksuar edhe nevojën që Maqedonia të ketë qasje pozitive në veçanti ndaj Kosovës në anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare.

Ekspertët e konsiderojnë të gabuar vlerësimin e qeverisë së re se duhet të ketë qasje neutrale ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Sipas tyre, qeveria e re duhet në këtë rast të ndjekë shembullin e qeverisë së kaluar e cila kishte votuar për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button