Treni i manifestimit “Kandilat e Bajramit” sërish në Shkup

Manifestimi tradicional “Kandilat e Bajramit”, i cili organizohet nga Shoqata Kulturore “Vizion M” në mbështetje të Qytetit të Shkupit, edhe këtë vit ndriçoi qytetin, si dhe gëzoi fëmijët e shumtë të cilët ndoqën dhe morën pjesë në një sërë aktivitetesh të këtij manifestimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky manifestim kulturor, i cili organizohet tradicionalisht para festës së Bajramit, si zakonisht filloi me marshutën e “Trenit të Bajramit”, i cili shëtiti dhjetëra fëmijë nëpër lagjet e Shkupit, duke filluar nga xhamia e Mustafa Pashës deri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në sheshin para xhamisë Murat Pasha.

Koordinator i projektit “Kandilat e Bajramit”, Erduan Dauti, tha se qëllimi i manifestimit është që të sjellë gëzim tek të vegjlit. Ai bëri të ditur se manifestimi ka filluar që nga viti 2005.

“Manifestimi ka filluar në vitin 2005 duke u organizuar katër vite me radhë, pastaj ka pasur një ndërprerje disa vjeçare. Ndërsa, prej vitin 2012 çdo vit është duke u organizuar në prag të Fitër Bajramit. Ky projekt kryesisht u dedikohet fëmijëve deri në moshën 10 vjeçare”, u shpreh Dauti.

Këtë vit, motoja e manifestimit ishte “Ejani të përcjellim mikun e mirë Ramazanin – Ejani të presim Bajramin”, ndërsa ndërkohë, në vendin ku përfundoi marshuta e “Trenit të Bajramit”, para xhamisë Murat Pasha, vijuan aktivitetet tjera në kuadër të këtij manifestimi tradicional.

Organizatorët kishin përgatitur ekspozitën e titulluar “Ekspozita Stringëll (bizhuteri) dhe art”, ndërsa nuk mungoi edhe koncerti për fëmijë “Fidanët e Bajramit”, ku u recituan poezi dhe u performuan valle tradicionale nga të rinjtë. Manifestimi përfundoi me shpërndarjen e pakove ushqimore për fëmijët e pranishëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button