Shpirti human i një reformatori

“Ideologjia mund të jetë hyjnore, por nëse atë ideologji hyjnore e zbaton në jetë një JO-njeri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji djallëzore, dhe anasjelltas – nëse një ideologji djallëzore e zbaton në jetë një njeri i frymëzuar me humanizëm dhe dashuri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji hyjnore”. (Rexhep Avdullahu)

E fillova qëllimisht shkrimin me këtë thënie për ideologjinë, për të tërhequr një paralele të ngjashme me “Reformat” në një subjekt politik. Reformat në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në përputhje me filozofinë politike rugoviane nuk mund të realizohen asnjëherë me nostalgjiket e regjimit komunist jugosllav, që fillimisht nisen nga inatet personale dhe psikologjia e hakmarrjes politike, për të eliminuar zërat kritik dhe ngulfatjen e mendimit ndryshe.

Për realizimin e suksesshëm të reformave në LDK, nevojiten njerëz me shpirt human, që në zemër kanë filozofinë politike rugoviane, që kanë urtësinë dhe mençurinë, tolerancën dhe guximin politik për të kthyer në rrugë të mbarë LDK-në e katandisur nga të paudhët përgjatë këtyre viteve post-rugoviane.

Krahas zërave sporadik në Kosovë për ndryshime përmbajtjesore në skenën politike kosovare, në veçanti në subjektin e traditës demokratike-LDK-në e kapur nga klanet dhe grupet e interesit, zërat më kritik janë në mesin e veprimtarëve të mërgatës sonë, të cilët në mënyrë permanente dhe konsistente, në përputhje me kërkesat e kohës, me tërë qenien e tyre angazhohen për reforma të thella, përmbajtjesore dhe substanciale në LDK.

Padyshim se njëri nga zërat më kritik është Shefqet Dibrani, njeriu më i përshtatshëm dhe më i duhur për rrethanat e kohës, për realizimin e reformave të thella dhe përmbajtjesore në LDK.

LDK-ja do të bënte gabimin tjetër të radhës, nëse në nuk e radhit zotin Shefqet Dibrani në mesin e intelektualëve që janë të përkushtuar për reforma të thella në këtë subjekt politik.

Angazhimi i pakursyer dhe i sinqertë i Shefqet Dibranit për afro dy dekada në funksion të demokratizimit dhe reformave në LDK, janë shprehje e atdhedashurisë, përcaktimit dhe konsistencës  së veprimeve të tij në frymën rugoviane, që e bëjnë autorin e 19 librave dhe mbi 6 mijë shkrimeve autoriale, sa të dashur po aq të kërkuar nga elektorati besnik i frymës rugoviane.

Duke qenë se edhe vet jetoj në perëndim, i kam përcjell me vëmendje zhvillimet në dy degët më të fuqishme të LDK-së në Diasporë (Zvicër dhe Gjermani).

Për dallim nga dega e Gjermanisë, në atë të Zvicrës, kryetari legjitim i zgjedhur në mënyrë demokratike, shkarkohet në mënyrën më antidemokratike, si pasojë e  ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të liderit të partisë në qendër (Prishtinë) përmes sejmenëve të tij, ku paraprakisht i shantazhuan disa prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Shefqetit,… duke i shndërruar disa nga bashkëpunëtorët dhe votuesit e tij në skenaristët e shkarkimit të tij!

Kjo paraqet mënyrën më të pasinqertë dhe lojën me standarde të dyfishta ndaj një kryetari legjitim të degës më të fuqishme në Diasporë, dhe ndaj një personaliteti të veçantë  siç është zoti Shefqet Dibrani.

Si shkas për t’ju qasur angazhimeve të Shefqet Dibranit për reforma të mirëfillta në LDK, u nisa nga shkrimi i Xhemail Ahmetit në gazetën Kosova sot të datës 17-18 qershor 2017, që ishte një analizë brilante për librin monumental të Shefqet Dibranit i botuar në vitin 2011 me titull; “11 MINUTA PARA ORËS ’00”, në të cilin autori pasqyron në mënyrë besnike polemikat e ashpra kundër destruktorëve dhe fenomeneve negative që demolonin vizionin e Ibrahim Rugovës dhe të LDK-së, duke i degjeneruar ato (pra vizionin dhe partinë) qëllimisht për t’i transferuar më vonë si merita të të tjerëve, të atyre që Rugovën e konsideronin si armikun numër një të tyre.

Shkrimi i autorit dhe libri “11 MINUTA PARA ORËS ’00”, dëshmojnë se Shefqet Dibrani qysh ne vitin 2000 paska kërkuar fillimin e reformave në LDK, si imperativ dhe domosdoshmëri kohore.

Andaj, për të mos u ekzagjeruar më tepër rreth asaj që kërkon të arrijë autori në librin e tij, i ftoi të gjithë ata që e kanë gojën plotë “reforma” në LDK, fillimisht duhet ta lexojnë librin “11 MINUTA PARA ORËS ’00”, për t’iu besuar fjalëve vizionin largpamës të një analisti.

Libri i Shefqet Dibranit “11 MINUTA PARA ORËS ’00”, ishte një sinjalizim i alarmit për LDK-në. Përveç aspektit estetik dhe nivelit të lartë intelektual, libri paraqet vërtetësinë dhe saktësinë e ngjarjeve dhe pragmatizmin e autorit me një profeci të paparë, ta zëmë qysh në vitin 1992, ka shkruar edhe për rrezikun e fundamentalizmit islamik në shtetin e Kosovës, (shih librin “VIRTYTE E VISARE”), pastaj analizat e tija përkitazi me rrezikun e strukturave komuniste për të ardhmen e LDK-së, në veçanti të ish udhëheqësit komunist Isa Mustafa i cili në kreun e LDK-së u katapultua përmes puçit dhe metodave më perfide komuniste, duke i vënë thikë pas shpine, së pari atij që  e ngriti dhe e faktorizoj në skenën politike të pasluftës e pastaj me të gjithë ata që ishin rugovista të vërtetë.

Dhe vërtetë ashtu siç e kishte paralajmëruar Dibrani, erdhi përfundimi më i pakëndshëm për LDK-në, katandisja dhe degradimi i së cilës janë produkt i klanit puçist të Isa Mustafës. Këto dhe të tjera shënime i gjejmë në librin me dy vëllime “SFIDË PËR DEMOKRACINË” si dhe tek librat “ZHGËNJIMI BALLKANIK”.

Shefqet Dibrani në vazhdimësi në shkrimet e tij ka bërë thirrje për unitet dhe bashkim brenda elektoratit të LDK-së, për të ruajtur bërthamën e saj, duke mënjanuar parashutistët dhe klandestinët brenda këtij subjekti politik, të instaluar përmes klanit komunist në LDK.

Vendin e klandestinëve në LDK duhet ta zënë veprimtarët e devotshëm, të cilët i kanë qëndruar besnik filozofisë politike rugoviane nga themelimi e deri në ditët e sotme.

Kështu, për një reformë të mirëfilltë, LDK-së i duhet që krahas bërthamës (njerëzve që e kanë themeluar si subjekt), duhet të angazhohet brezi i mesëm i intelektualëve i pasuar nga gjenerata e re, duke mos i anashkaluar në asnjë rrethanë veprimtarët në Diasporë, gjithnjë duke respektuar edhe përfaqësimin gjinor në udhëheqjen e ardhshme të LDK-së.

Në emërimet për postet udhëheqëse të LDK-së, duhet të përfshihen kuadrot e profilit të lartë, si bie fjala, për kryetar partie duhet gjendet një nga veteranët e LDK-së që janë aktiv në jetën politike të profilit të Jusuf Buxhovit, Rexhep Gjergjit, Zejnullah Rrahmanit, etj.

Nga ajo që kam lexuar në librin “11 MINUTA PARA ORËS ’00” dhe shumicën e shkrimeve autoriale të viteve të fundit të Shefqet Dibranit, autori bën thirrje për unifikim, për lënien anash të inateve personale për të mirën  e LDK-së dhe vendit në përgjithësi.

Dibrani në shkrimet e tij ndërton raportin drejtpërdrejt ose si themi ne bardh e zi, por nuk shquhet për mënyrën revanshiste, sepse ai është i bindur se LDK-ja nuk ka kohë për të humbur duke u marr me gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes artificiale. Ai, si gjithnjë theksin e veçantë e vendos tek përfshirja e Diasporës në të gjitha organizimet e LDK-së, duke filluar nga niveli lokal tek ai qendror, për të krijuar balancin e nevojshëm edhe në proceset elektorale, ku vota e Diasporës dhe familjarëve të tyre në Kosovë, ka me qenë vendimtare në arritjen e synimeve elektorale, pse jo edhe të unitetit të çeliktë brenda LDK-së.

Drejtuesit e ardhshëm të LDK-së duhet të tregohen tepër të kujdesshëm ndaj veprimtarëve të saj të viteve të ’90-ta që jetojnë në Diasporë, ngase çdo përbuzje ndaj tyre do të reflektoj tejet negativisht tek bijtë e bijat tyre, sot kuadro me tituj akademik në shtetet evropiane, aq të domosdoshëm për rifreskimin dhe forcimin e LDK-së dhe politikbërjes në shtetin e Kosovës në përgjithësi.

Arsyeja pse duhet të çmohet angazhimi i veprimtarëve të orëve të para të LDK-së që janë në Diasporë, është se përveç se mund të bëhen këshilltar shumë produktiv në të gjitha nivelet, përmes tyre do të thithej gjenerata e dytë dhe e tretë që janë ekspert të profileve të ndryshme dhe biznesmen të suksesshëm të fushave përkatëse në shtetet evropiane, të cilët përveçse do të kontribuonin në aspektin organizativ të LDK-së, do sillnin në Kosovë investimet e tyre për të zhvilluar veprimtaritë e tyre biznesore, me ç’rast do të gjeneronin edhe shumë vende pune për të rinjtë dhe familjarët e tyre.

Në vazhdën e reformave të LDK-së duhet të hyjë edhe krijimi i komisioneve të veçanta për Diasporën në secilën degë të LDK-së deri në qendër, për heqjen e pengesave burokratike të vendosura padrejtësisht në formë haraçi qeveritar.

Nëse nuk mund bëjnë asgjë tjetër për mërgatën, LDK-ja së paku një herë në vit mund të organizojë një koktej rasti për mërgimtarët,… duke e njohur shpirtin human të mërgimtarëve, ju garantoj që secili prej tyre do të sjellë nga një qese najloni me lëngje e çipsa sa për të freskuar gojën e drejtuesve të LDK-së nga aroma e mishit dhe rakisë që konsumojnë çdo ditë nëpër restorantet luksoze…

Me këtë dua të them se, pa përfshirjen e Diasporës në të gjitha proceset organizative të LDK-së dhe vendimmarrjen shtetërore nuk mund të ketë reforma përmbajtjesore. Sot falë teknologjisë Diaspora mund të jetë aktive në të gjitha debatet pa pasur nevojë për prezencën e tyre fizike.

LDK-ja përfundimisht, duhet t’i heqë inatet personale dhe logjikën e hakmarrjes ndaj zërave kritik brenda partisë.

Një nga ata që ka pësuar më së shumti nga konsekuencat e logjikës së hakmarrjes nga eksponent të caktuar të LDK-së, është krijuesi, analisti, gazetari dhe veprimtari i shquar, ish kryetari i degë së LDK-së në Zvicër, Shefqet Dibrani, i cili në vazhdimësi ka kritikuar dhe ka kërkuar llogaridhënie për dështimet e njëpasnjëshme të LDK-së në proceset zgjedhore, veset dhe inatet, gabimet dhe lëshimet e brendshme organizative.

Për këto veprime fisnike të zotit Dibrani, kryesia e LDK-së, përveç anatemimit që ia bëri këtij veprimtari, pasi i ka shantazhuar familjarët e veprimtarëve, që ishin edhe miq të Dibranit, si askush tjetër ka shkruar në vazhdimësi për ta: Xhemail Mustafën, Enver Malokun, Tahir Zemajn, Ukë Bytyçin, Ahmet Krasniqin, etj.

Ashtu siç e nisa, shkrimin do e përfundoj me konstatimin e gjendjes reale në LDK, që ndërlidhet me ideologjinë, gjegjësisht me katandisjen e filozofisë politike rugoviane nga Isa Mustafa, po të ishte gjallë edhe vet dr. Ibrahim Rugova  do të ikte?!…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button