Ahmeti: Shqiptarët nuk do zhgënjehen me qeverinë e re

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) mbrëmë ishte mysafir në emisionin “Rruga drejtë” në Alsat M. Ai u përgjigj në pyetjet e shtruara nga ana e moderatores së emisionit Arta Latifi, si dhe të shikuesve në lidhje me situatën aktuale politike në Republikën e Maqedonisë.

Kreu i BDI-së është shprehur në lidhje me ofertën për të drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.

“Unë e kam pasur ofertën për MPB-në, drejtorinë e shërbimit sekret, mirëpo sigurisht se duhet parë rrethanat me kompetenca të plota sidomos në këtë situatë, dhe kemi vlerësuar se, “nuk do ishte e dobishme sikur të drejtonim MPB-në, apo DSK-në. Rrethanat janë shumë specifike dhe nuk kemi dashur të lëmë hapësirë dhe të thonë se ja tani shqiptarët e gjetën momentin…”, ka thënë Ahmeti në “Rruga drejt” në Alsat-M, transmeton Aktuale,mk.

Ai më tej është shprehur edhe në lidhje me bisedën me liderin e PDSH-së Menduh Thaçi

“Me Thaçi jam takuar dhe e ndjej si obligim si shqiptar, që të mos humbet komunikim mes partive politike qoftë në pozitë apo opozitë”, ka thënë në vijim të intervistës lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

“Thelbi i bisedës ka qenë Marrëveshja e Shkupit. Thaçi ka obligime të asaj marrëveshje që dhe ai të jetë pjesë e përkrahjes së asaj marrëveshje, duke filluar nga gjuha, NATO, BE, marrëdhëniet me fqinjët, reformat në gjyqësi…”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se nuk dëshiron të merret me paragjykime apo skenarë, por se me Thaçin thjesht është folur për mbështetjen e asaj, “që e kemi nënshkruar bashkë”.

Në pyetjen e një shikuesi nëse beson që kryeministri Zoran Zaev do bëjë fjalët vepra, Ahmeti u përgjigj:

“Është një fillim i mirë, nëse kemi bërë punë të mbarë, do të jetë mirë për gjitha palët”, ka thënë Ahmeti në “Rruga drejt…” në Alsat-M.

Ai ka thënë se shqiptarët nuk do zhgënjehen me qeverinë e re dhe këtë do ta vërtetojë koha, “jam shumë i sigurt se gjerat do shkojnë mirë edhe pse do jetë një mandat i vështirë me një shumicë të brishtë”.

Në radhë të parë, shton ai, do dëshiroja që vetë shqiptarët të mos e nënçmojnë kapitalin e tyre, sepse partitë politike janë thesar kombëtar, “ne nuk kemi qenë vasal, sepse ne përfaqësojmë interesat e komuniteti shqiptar dhe e kemi thënë hapur”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button