Nis sonte Festivali Evropian i Këngës

Festivali Evropian i Këngës nis sonte në Kopenhagë të Danimarkës.Këtë vit është këngëtarja Hersiana Matmuja që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2014. Kënga e interpretuar prej saj, “Zemërimi i një nate”, me vargje të Jorgo Papingjit dhe muzikë e orkestrim të Genti Lakos, u përzgjodh si më e mira mes 16 krijimeve të reja, që u prezantuan në tre netët e edicionit të 52-të të Festivalit në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Hersi Matmuja (23 vjeç) është me origjinë nga Kukësi. Ka ardhur në Tiranë në moshën 5-vjeçare dhe ka nisur të këndojë kur ishte 8 vjeç, në Pallatin e Pionierëve. 

Më pas ka marrë pjesë në festivale për fëmijë, në Shkodër apo Tiranë, në konkurse të ndryshme si: “Çelësi i artë” me muzikë popullore dhe tek “Ethet e së premtes”. Pas konkurrimit në “Ethet e së premtes”, pati dhe kontaktin e parë me Festivalin e Këngës në RTSH. Fillimisht, ka bashkëpunuar me kantautorin Frederik Ndoci, i cili ka vënë gurin e parë në udhën e krijimtarisë së saj artistike, në Festivalin e 45-të në RTSH (2006) me këngën “Ah jetë, o jetë”. Më pas me kompozitorin Gent Myftaraj dhe Agron Tufën si poet, ndërsa kompozitori Shpëtim Kushta e zgjodhi për të nderuar figurat historike të festivalit, me këngën e tij titulluar “Aty ku më le” etj.  

Shqipëria, pjesë e Eurosong, qysh prej vitit 2004 

Janë 37 vende pjesëmarrëse në garën tradicionale prej gati 60 vjetësh, në mesin e të cilëve edhe Shqipëria. Në këtë ngjarje kulturore Shqipëria merr pjesë qysh prej vitit 2004 në Stamboll të Turqisë. Shqipëria  atëherë u prezantua me këngëtaren Anjeza Shahini dhe këngën “Imazhi yt”, e cila zuri vendin e 7-të në finale. Ky pozicion u tejkalua nga Rona Nishliu me këngën “Suss” (2012), e cila arriti në vendin e pestë.

 37 vende nisin garën sonte

Festivali i 59-të Europian i Këngës (Grand Prix Eurovision) fillon sonte deri më 10 maj në kryeqytetin danez, Kopenhagë. Sipas traditës, fituesi i Festivalit të kaluar, artistët danezë Lise Cabble, Julia Fabrin Jakobsen dhe Thomas Stengaard që zunë vendin e parë me këngën e tyre, “Only Teardrops” në Malmo të Suedisë më 18 maj 2013, bën të mundur edhe zhvillimin e këtij aktiviteti kaq të madh në Danimarkë. 

Danezët kanë pasur fatin që këtë Festival ta organizojnë edhe dy herë të tjera në të kaluarën: 1964, 2001. Motoja zyrtare e kësaj ngjarje të madhe artistike është: “Join Us!” Logoja do të jetë blu me diamantë që shkëlqejnë. Festivali prezantohet nga danezët : Lise Rönne, muzikanti Nikolaj Koppel dhe aktori Pilou Asbek. Për herë të parë në historinë e festivalit, treshja e prezantuesve do të përbëhet nga dy meshkuj dhe një femër. Pas disa shtyrjesh të shpeshta, më 9 janar 2014 ishin 36 vende që premtuan pjesëmarrjen e tyre në këtë Festival. Meqë për Slloveninë ka një rregull të veçantë, më 17 janar përfundimisht u përcaktuan 37 vendet garuese të këtij aktiviteti kulturor europian, shkruan DW.

Lajme të ngjashme

Back to top button